Në RMV sot do të fillojë fushata zgjedhore – të gjithë u uruan oponentëve sukses më 21 prill

Sot, në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) zyrtarisht do të fillojë fushata për zgjedhjet e gjashta presidenciale, ndërkaq do të përfundojë më 19 prill. Bashkë me presidencialet, në komunën e Ohrit, Dibrës dhe Novoselës do të mbahen edhe zgjedhje lokale, transmeton Portalb.mk.

Të drejtë vote kanë 1.808.131 qytetarë të RMV-së. 1.782 prej tyre të drejtën e votës do ta realizojnë në 32 përfaqësi diplomatike dhe konsullore të RMV-së.

Zgjedhjet presidenciale – tre kandidatë

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 21 prill, forcat do t’i matin tre kandidatët, të cilët sipas shortit që u tërhoq në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, në fletën e votimit, numrin 1 do ta mbajë kandidati i pavarur, Blerim Reka i cili ka mbështetjen e partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, numrin dy do ta ketë kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, ndërkaq me numrin tre do të jetë kandidati i përbashkët i 30 partive politike, Stevo Penadrovski. Ndryshe nga dy kandidatët e parë, për Pendarovskin këto zgjedhje do të jenë përpjekja e dytë e tij për t’u ulur në kolltukun e të parit të shtetit.

Në vazhdën e fushatës, dje kandidatët nënshkruajtën Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike, ku të gjithë i uruan njëri-tjetrit suksese. Megjithëse fushata fillon sot, në terren ajo ka nisur qysh para një muaji.

Reka – Pendarovski – Siljanovska

LEXO: Pendarovski vs Siljanovska: Beteja për dhe kundër “Marrëveshjes së Prespës”

Gordana Siljanovska ka shprehur qëndrimin e saj, se nuk e pranon Marrëveshjen e Prespës, është kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe se nuk i duhen votat e shqiptarëve.

Pas kësaj, kandidaturën e ka publikuar Blerim Reka, i cili në paraqitjen e parë, tha se me zgjedhjen e tij do t’i jepet fund shtetit të privatizuar, dhe se Maqedonia e Veriut do të bëhet Republikë.

Stevo Pendarovski ka mbështetje më të madhe, sepse prapa i qëndrojnë 30 parti politike të koalicionit qeverisës në krye me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai e mori epitetin e “kandidatit konsesual”, ndërkaq si slogan ka “Bashkë përpara”.

Të tre kandidatët sot do ta mbajnë edhe konventën promovuese. Reka do të jetë në Shkup, Siljanovska në Ohër, ndërkaq Pendarovski në Prilep.

Zgjedhjet lokale në tri komuna – nëntë kandidatë

Agolli – Duka – Mena

Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike e kanë nënshkruar edhe kandidatët për kryetar komunash. Listës për numrin e kandidatëve u prin Ohri me pesëXhemal Mena nga Lëvizja BESA, Konstantin Georgievski nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Mitre Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, Stevçe Stevoski nga partia Demokratët dhe Kiril Trendafillov nga Unioni Social Demokratik.

Në Dibër do të garojnë dy partitë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim me Hekuran Dukën dhe në opozitë, Aleanca për Shqiptarët me Arben Agollin.

Në Novoselë gara do zhvillohet mes partive politike të bllokut maqedonas, nga LSDM-ja, Nikolla Ardonov dhe nga VMRO-DPMNE-ja, Nikollço Stoillkov.

LEXO: Zgjedhjet lokale – garë mes pushtetit dhe opozitës: Në Dibër kandidatë shqiptarë, në Ohër dhe Novoselë maqedonas

Rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 21 prill, ndërkaq i dyti më 5 maj.

Arritja e censusit – sfidë për zgjedhje të suksesshme

Zgjedhje

Në referendumin e që u mbajt më 30 shtator të 2018-s për Marrëveshjen e Prespës, shumë qytetarë – familje nuk arritën ta gjejnë veten në listën zgjedhore, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, me çka nuk kanë shfrytëzuar të drejtën që të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”. Kjo ka ndikuar edhe në mos arritjen e censusit të referendumit, i cili duhej të ishte 903,169 votues, por ishte 666,746 votues.

LEXO: Nëse më 5 maj s’ka census, zgjedhjet e dyta presidenciale në RMV shpallen në gusht

Nëse dalja në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) nuk është 40 për qind, siç sqaroi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Oliver Derkoski duhet të shpallen zgjedhje të reja, gjë e cila sipas kryetari të Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi mund të bëhet pas 6 muajve.

Në atë periudhë Xhaferi do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit të RMV-së, pasi që kryetarit aktual Gjorge Ivanov do t’i skadojë mandati. Nëse Xhaferi bëhet ushtrues detyre i presidentit, ai do të ketë të drejtë të udhëheqë seancat plenare, por nuk do të ketë të drejtë vote. Zgjedhjet duhet të shpallen 90 ditë nga dita e mbajtjes së tyre. Sipas kësaj, zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajin gusht.

Në lidhje me këtë, Xhaferi ka deklaruar se më së miri është që zgjedhjet të shpallen 6 muaj nga rrethi i dytë i zgjedhjeve – 5 maj, pasi postin ushtrues detyre i presidentit mund ta ushtrojë 6 muaj.

OSBE-ja me 279 vëzhgues

Shefja e Misionit të OSBE-së, Korin Jonker. Foto: Kolektif.mk

Rreth 279 vëzhgues, 11 njohës të çështjeve të jurisprudencës, të politikës e të teknologjisë dhe 18 ekspertë afatgjatë, do të shpërndajë Misioni i OSBE-së në territorin e RMV-së për të mbikëqyr procesin para, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale 2019.

Shefja e Misionit të OSBE-së, Korin Jonker ka deklaruar se do të vëzhgohet edhe administrata zgjedhore, regjistrimi i votueseve dhe kandidatëve, megjithëse disa herë theksoi, se ata janë këtu për të vlerësuar procesin, e jo për të ndikuar në rezultatet.

Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë edhe organizatat joqeveritare si “CIVIL” dhe “MOST”, ndërkaq Avokati i Popullit ka hapur numër falas i cili qytetarëve do t’u shërbejë për denoncim të trysnime dhe parregullsive (080054321).

Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov

Zgjedhjet presidenciale janë të parat që organizohen pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës, pasi në muajin maj presidentit aktual, Gjorge Ivanov do t’i skadojë mandati. Zgjedhjet lokale mbahen për shkak se kryetarët e Dibrës dhe Ohrit ndërruan jetë, ndërkaq ai i Novoselës gjykohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

LEXO: Analizë: “Baballarët e kombit” – të gjithë të kontestuar dhe partiakisht “të kontaminuar”!

Nga zgjedhjet e para presidenciale në Maqedoni të Veriut deri më tani, në krye të shtetit qëndruan katër veta. Disa prej tyre u kandiduan si “të pavarur”, dy prej tyre u mbështetën nga VMRO-DPMNE-ja, ndërsa njëri nga LSDM-ja.  Në garën për funksionin e kryetarit të shtetit, nga pavarësia deri tani ka pasur rreth 20 kandidatë. Shtatë prej tyre kanë qenë nga radhët e bllokut politik shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button