Fondi për Inovacione shpalli thirrjen e dytë në kuadër të Planit të Rritjes Ekonomike të Qeverisë

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli thirrjen e dytë nga Plani i Rritjes Ekonomike të Qeverisë (PRE) për grantet e bashkëfinancuara për komercializimin e inovacioneve, transmeton Kanal 5.

Thirrja është për të gjitha bizneset mikro, të vogla dhe të mesme dhe institucionet private shëndetësore që dëshirojnë të zhvillojnë një produkt, shërbim ose proces inovativ. Thirrja e dytë publike është e hapur nga sot deri më 15 maj 2019.

Me këtë thirrje, Qeveria siguron deri në 70% të bashkëfinancimit për kompanitë mikro dhe të vogla. Kurse për kompanitë e mesme deri në 60%, me shumë maksimale prej 20 milion denarë. Fondet do të paguhen në baza tremujore, në përputhje me dinamikën e realizimit të planit të projektit, pas parapagimit të pjesëmarrjes së vetë kompanisë dhe monitorimit të realizimit të aktiviteteve nga Fondi.

Qëllimi i këtij Instrumenti është të inkurajojë rritjen e aktiviteteve kërkimore dhe zhvillimore në sektorin privat, të nxisë bashkëpunimin e ndërsjellë të kompanive, bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimin, si dhe format e tjera të bashkëpunimit për komercializimin e inovacioneve, thonë nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Shuma totale e fondeve në thirrjen e dytë publike brenda PRE, është pesë milionë euro nga të cilat dy milionë janë siguruar nga Banka Botërore. Me këtë, Banka Botërore bëhet partner financiar i FITR-it dhe Qeverisë në realizimin e Planit të Rritjes Ekonomike, në pjesën e komercializimit të inovacioneve.

“Në periudhën e aplikimit, kompanitë vendase do të kenë mundësinë të përdorin përkrahje falas këshillimore nga FITR. Për herë të parë kjo mbështetje do të ofrohet e decentralizuar, në Tetovë, Strumicë dhe Manastir, në bashkëpunim me organizatat partnere lokale dhe rajonale. Përveç kësaj, për të informuar rreth detajeve të thirrjes, kushteve dhe mundësive për aplikim, Fondi do të realizojë seanca më informative në bashkëpunim me odat e tregtisë dhe organizata të tjera”, theksojnë nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Ata theksojnë se vlerësimi i propozimeve të pranuara të investimeve do të bëhet në dy faza.

“Faza e parë e para-përzgjedhjes do të kryhet nga ekspertë të jashtëm, ekspertë vendas nga 22 aktivitete ekonomike. Në fazën e dytë, projektet do të rishikohen nga Komiteti i Miratimit të Investimeve, i përbërë nga pesë ekspertë të huaj, të cilët marrin vendimin përfundimtar për financimin. Kompanitë dhe propozimet e tyre për investime do të vlerësohen në pesë kategori: shkalla e inovacionit, cilësia e projektit të përgatitur, potenciali i tregut, kapaciteti i aplikuesve dhe ndikimi i projektit”, shpjeguan nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button