SHBA: Reforma në Drejtësi për Shqipërinë, jetike në zhdukjen e ndikimit të krimit

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit Shqipëria shihet si vend burimor i kanabis, tranzit për kokainën dhe heroinën. Korrupsioni zyrtar e pandëshkueshmëria nxisin trafikun e drogës, thuhet në raport, transmeton Dojçe Vele.

Në raportin e sapopublikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit “Strategjia e Luftës Ndërkombëtare kundër Narkotikëve dhe Pastrimit të Parave” 2018, Shqipëria klasifikohet njëherazi ”si një vend burim i kanabisit dhe vend tranzit për kokainën dhe heroinën”. Sipas raportit trafiku i këtyre 2 drogave të forta komandohet “nga elementë të krimit të organizuar që transportojnë drogën nga vendet ku prodhohet, në Azi dhe Amerikën e Jugut, në tregjet europiane” .

Korrupsioni zyrtar dhe pandëshkueshmëria në Shqipëri

Raporti i Departamentit të Shtetit i cilëson “të rëndësishme” rezultatet në Shqipëri, vitit e kaluar, kundër trafikut të narkotikëve. ”Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe numri i arrrestimeve në vitin 2018 ishin të rëndësishme, të nxitura nga bashkëpunimi i institucioneve të zbatimit të ligjit me partnerët dhe presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE”.

Raporti përmend zbulimin e dy laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipëri. Por lë qartë të kuptohet që rezultatet janë me efektivitet të kufizuar. “Korrupsioni në çdo nivel të qeverisë kufizon efektivitetin e përgjithshëm të tyre. Korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis, ku trafikantët e drogës janë kryesisht në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar”, thekson raporti lidhur me Shqipërinë.

Reforma në drejtësi dhe dënimi i trafikantëve

Departamenti Amerikan e Shtetit gjen si shkaktarë të shndërrimit të Shqipërisë në „një vend burim të kanabisit dhe vend tranzit për kokainën dhe heroinën” situatën ekonomike dhe zbatueshmërinë e dobët të ligjit. “Niveli i lartë i papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar, që kontrollojnë drogën në Shqipëri. Eksportimi i kanabis dhe tregtia e drogave të paligjshme në tregjet evropiane është një biznes shumë fitimprurës për trafikantët e drogës”, thekson raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në të konstatohet një status-quo lidhur me dënimin dhe burgimin e trafikantëve të drogës në Shqipëri. Shpresën për të prishur këtë status quo, Departamenti Amerikan i Shtetit e sheh tek reforma në Drejtësi. “Vazhdimi i Reformës në Drejtësi nga qeveria shqiptare është jetike për zhdukjen e ndikimit të krimit të organizuar. Shqipëria është duke ecur drejt reformës së drejtësisë për të ndjekur penalisht dhe dënuar kriminelët e trafikimit  të drogave edhe si pjesëmarrës në krimin e organizuar. Prokurorët tani kombinojnë akuzat që lidhen me drogën me ato që lidhen  me krimin e organizuar”, përfundon raporti i Departamentit të Shtetit – 2018 analizën për situatën e trafikut të narkotikëve në Shqipëri..

Pastrimi i parave, krimi financiar

Raporti i Departamentit  të Shtetit 2018, konstaton se “burimet e fondeve të paligjshme në Shqipëri vijnë nga trafiku i narkotikëve, kontrabanda dhe marrëdhëniet e paligjshme të biznesit me bandat e krimit të organizuar”.

”Shqipëria mbetet vulnerabël ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rritjes së rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare” thekson raporti. Në analizën e kushteve, në të cilat ndodh pastrimi i parave raporti vë në dukje se “Shqipëria ka një ekonomi të madhe të bazuar në cash dhe sektorin informal, hyrje të konsiderueshme të parave nga jashtë në formën e remitancave”. Veprimtaritë kriminale më të mëdha, që gjenerojnë të ardhura në Shqipëri, konstaton Departamenti Amerikan i Shtetit,  përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën pa përjashtuar falsifikimin, armët dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“Shqipëria shërben si bazë e operacioneve për organizatat e krimit të organizuar që  operojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Jugut”, thuhet në raport. Në raport theksohet se „reforma në drejtësi, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar, ngritja e TASK FORCE  policore për aktivitetet e krimit të organizuar kanë krijuar një trajektore pozitive në Shqipëri për të adresuar pastrimin e parave dhe krimet  financiare.”

“Në 2018 prokurorët sekuestruan toka që i përkasin ish-Prokurorit të Përgjithshëm, në pritje të hetimit të tij si i dyshuar për  veprimtari kriminale, Në konteksin e përpjekjeve në vijim të Shqipërisë për të hyrë në BE, vullneti politik për të hetuar zyrtarë të lartë, duhet të forcohet” thekson raporti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button