Hulumtimi: Media – Reformat kurrë nuk mjaftojnë

Si të realizohen idealet e brezave të idealistëve, njerëz në mbarë botën të cilët kanë luftuar ose janë ende duke luftuar për lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, lirinë e pranimit dhe dhënies së informatave përmes një hapësire ​​të lirë në internet ose nëpërmjet kanaleve të mediave tradicionale?

Si të kemi qasje të lirë te informatat dhe si dënimet e gjykatave për ofendim dhe shpifje, dhe në lidhje me ligje të tjera, të mos jenë kërcënim për lirinë e fjalës, ndërsa njëkohësisht të jenë mbrojtje nga abuzimi me lirinë e fjalës edhe të mediave dhe një shkallë e domosdoshme e mbrojtjes së privatësisë së çdo personi, duke përfshirë edhe personat publikë?

A është reformuar hapësira mediatike në vend pas gjendjes së territ ​​të plotë mediatik dhe pas fazës së quajtur “shtet i kapur” posaçërisht pas vitit 2011 e deri kah mesi i vitit 2016?

Si të arrijmë deri te media të lira dhe të fuqishme – bartës të vërtetë të “pushtetit të katërt” në shtet?

Një pjesë e këtyre çështjeve janë përfshirë në dokumentin për politika publike që e publikoi Fondacioni “Metamorfozis“, të cilin mund shkarkoni në linkun e mëposhtëm, transmeton meta.mk, përcjell Portalb.mk. 

Pas analizës së gjerë të gjendjes, në bazë të rregullave të rrepta metodologjike dhe pas diskutimeve me ekspertët, u paraqitën këto rekomandime:

  • Politika gjithëpërfshirëse mediatike që do të përmbajë strategji për zhvillimin e sektorit mediatik në kushte të konvergjencës së mediave tradicionale dhe digjitale dhe do të siguronte qasje të barabartë te resurset në funksion të sigurimit të pluralizmit mediatik dhe mbrojtje nga rreziqet e abuzimit të lirisë;
  • Vullnet politik i shtetit për të mos vendosur kapelë mbi mediat dhe t’i keqpërdorë ato për qëllime propaganduese;
  • Vullneti politik për të ndarë fonde të mjaftueshme për subvencion (jo drejtpërdrejtë me para) të atij lloji të mediave që vlerësohen të prekura nga kushtet ekonomike të tregut, ose që merren me tema të qeverisjes lokale, grupet në nevojë, grupet minoritare, duke mos pritur kundërshpërblim, në kuptimin e auto-censurës ose ngjashëm;
  • Ndalimi i çdo reklamimi i pushtetit qendror dhe lokal, si dhe të ndërmarrjeve shtetërore dhe publike në mediat komerciale;
  • Zgjidhje ligjore të pastra në të cilat shteti do të rregullojë vetëm atë që duhet të rregullohet, me ç’rast do të ketë një ekuilibër mes nevojës për rregullimin dhe kundërvajtjet dhe dënimet për mediat që do të gabojnë në zbatimin e Ligjit bazik;
  • Shërbim i fortë publik, i cili do të kryejë rolin kryesor për të informuar dhe edukuar me profesionalizëm të lartë dhe i cili do të jetë i pavarur nga qendrat e pushtetit në pushtetin ekzekutiv, legjislativ apo gjyqësor;
  • Inkurajimi i vetë-rregullimit në mediat tradicionale dhe bashkëkohore si dhe në mediat digjitale;
  • Garantim i sigurisë së gazetarëve, të mos lejohet parimi i mosndëshkimit për sulme ndaj gazetarëve, si dhe aplikim të zgjidhjeve ligjore që do të garantojnë siguri sociale në mediat ku ata punojnë;
  • Përmirësim i masave ligjore dhe praktike për transparencë më të madhe të pronësisë së mediave;
  • Rregulla më të rrepta për ndalim të monopoleve mediatike;
  • Përmbajtje nga kërcënimet me padi për gazetarët dhe mediat nga bartësit e pushtetit, personat e zgjedhur apo të emëruar, në qoftë se ata janë të pakënaqur me raportimin e mediave;
  • Përmirësim i mëtejshëm i Ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje në pjesën e ndëshkimeve, që ligji të mos përjetohet si formë e presionit/shpatë e Damoklit që qëndron mbi kokat e mediave dhe gazetarëve;
  • Zgjerimi i listës së bartësve të informatave me karakter publik, shkurtim i kohës për të pranuar përgjigje si dhe rritje të efikasitetit të zgjidhjes së ankesave të shkallës së dytë nëse gazetari/media nuk e merr informacionin e kërkuar;

 

Ky hulumtim është i katërti nga pesë sa janë planifikuar në kuadër të projektit rajonal “Ballkani Perëndimor dhe procesi i aderimit në BE: Implementim i kritereve politike”, të cilin e drejton Qendra për tranzicion demokratik në Podgoricë, Mali i Zi.

 

Projekti është i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd dhe Fondi Ballkanik  për demokraci, projekt i Fondit Gjerman Marshal i SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button