Policia çeke kap një grup mashtruesish mes tyre dhe shqiptarë

Policia e Çekisë ka arrestuar ditën e djeshme 17 persona, mes tyre edhe shtetas shqiptar, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve si pasaporta, patenta e karta identitetit, të cilat më pas u shiteshin kundrejt shumave që varionin deri në 1800 euro. 

Operacioni 
Kanë qenë oficerët e policisë së Pragës dhe të Brnos, të cilat kanë ndërmarrë operacionin e koduar “Poker”, i cili çoi në arrestimin e 17 personave, mes tyre shqiptarë, bullgarë, çek, ukrainas, e egjiptian. Hetimi për këtë operacioni mësohet se ka zgjatur për mbi 18 muaj dhe ka çuar në dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij grupi, i cili mendohet se për mbi 10 vjet ka dominuar tregun e falsifikimit të dokumenteve në Republikën Çeke.

Nga dokumentet e sekuestruara ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi ishin të specializuar në ndryshimin e dokumenteve ekzistuese, por edhe në prodhimin e dokumenteve të reja. Grupi, i cili ishte i stacionuar në Pragë, prodhonte dokumente të falsifikuara dhe për në Slloveni, Bullgari, Belgjikë, Holandë, Finlandë e Danimarkë, të gjitha me një cilësi shumë të lartë dhe të vështirë për t’u dalluar. Seti i dokumenteve që përmbante pasaportë, kartë identiteti dhe patentë, arrinte deri në 1800 euro. Ndërkaq, policia çeke bën të ditur se në përfundim të operacionit u bë i mundur ndalimi i 17 personave, si të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar të falsifikimit. Gjithashtu bëhet e ditur se 14 persona janë arrestuar menjëherë, 1 ishte i arrestuar për një tjetër krim, ndërsa 2 persona do të procedohen në gjendje të lirë. 

Hetimet 
Nga hetimet 18-mujore është provuar se biznesi ishte shumë fitimprurës. Rrjeti i falsifikatorëve ishte i shtirë përveç Republikës Çeke dhe në Gjermani, Austri, Rumani, Bullgari dhe vendet e ish-Jugosllavisë. Persona në këto shtete merrnin porosi nga persona të ndryshëm dhe i transmetonin ato në Çeki, ku dhe kryheshin falsifikimet, më pas dokumentet e falsifikuara i dërgoheshin dorazi ose me anë të postës personit që i kishte porositur. Në kuadër të këtij hetimi janë shoqëruar 19 persona të moshave 23-60, si të përfshirë në këtë rrjet. Dyshohet se lidhja mes grupeve të falsifikatorëve janë 5 persona shqiptarë dhe bullgar, të cilët jetojnë prej vitesh në Republikën Çeke. Identiteti i tyre nuk bëhet ende i ditur, por mësohet se këta persona kanë pasur role kryesore në këtë organizatë kriminale.

Ndërkaq, mësohet se Policia Çeke është duke vijuar sërish hetimet për identifikimin dhe ndalimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë organizatë, të cilësuar si një prej më të mëdhave e më të rrezikshmeve në Evropë. /balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button