Në fundjavë rrethi i katërt i negociatave, ambasadorët “pro” integrimit të PSP-së në Prokurori Publike

Rrethi i katërt i negociatave për tejkalimin e dallimeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike (PP), me theks të veçantë fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), do të zhvillohet gjatë fundjavës. Nga ana tjetër, ambasadorët e mbështesin zgjidhjen ligjore aktuale e cila parasheh funksionim të PSP-së në kuadër të PP-së, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot në Ohër njoftoi se gjatë fundjavës ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska do të takohet sërish me grupin punues të partisë opozitare, VMRO-DPMNE-së, pasi që dje nuk u arrit marrëveshje.

“Mbrëmë kemi pasur takim me 8 deputetët. Kemi biseduar për zgjidhjet ligjore. Gjatë fundjavës ministrja Deskoska do të takohet me grupin e punës së partisë opozitare VMRO-DPMNE-ja. Besoj se pasi t’i tejkalojmë dallimet me ata, do të kemi tejkalim të dallimeve edhe me 8 deputetët, Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen BESA”, tha Zaev.

Ushtruesja e detyrës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mikaella Shvajcer-Bllum, ka deklaruar se përkrahin idenë e përfshirjes së PSP-së si trup i pavarur në kuadër të PP-së.

“Konsiderojmë se Prokuroria Speciale Publike duhet të mbetet trup i pavarur në kuadër të Prokurorisë Publike, që të mund të udhëheqë procese të korrupsionit në nivel të lartë”, tha Shvajcer-Bllum.

Ambasadori i Hollandës, Vauter Pllomp ka vlerësuar lartë punën e deritashme të PSP-së, dhe thotë se zgjidhja ligjore momentale është e rëndësishme për funksionimin e mëtutjeshëm të saj.

“Gjatë 3 vjetëve paraprake unë kam qenë këtu, dhe vlerësoj se PSP-ja ka bërë më shumë se sa kemi pritur, prandaj mendoj se këto janë momente të rëndësishme për funksionimin e mëtutjeshëm të saj”, tha Pllomp.

Përndryshe, dje ka përfunduar rrethi i tretë i negociatave për tejkalim të dallimeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike, veçanërisht për pjesën e PSP-së.

“Dallimet mbesin. Dallimet kyçe janë në statusin e PSP-së dhe në përdorimin e audio materialeve. Jemi marrë vesh të bëhen konsultime në pjesën e asaj se ku mund të ketë lëvizje që të gjejmë hapësirë për miratimin e përbashkët të ligjit”, tha dje ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Paraprakisht, dje Deskoska dhe Zaevi kanë realizuar takim edhe me krerët e opozitës shqiptare, Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët dhe Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA. Ata kanë 5 kërkesa, por për Deskoskën është e pranueshme vetëm kërkesa për zhbllokim të punës së PSP-së.

LEXO: Nuk ka marrëveshje për Prokurorinë Speciale, ministrja Deskoska sqaroi detajet
LEXO: Ministrja Deskoska për fatin e PSP-së: Tri çështje janë të papranueshme për ne (VIDEO)
LEXO: Fati i PSP-së, partitë opozitare shqiptare kanë 5 kërkesa (VIDEO)
LEXO: Bashkimi Evropian me reagim ndaj partive të Maqedonisë së Veriut për Ligjin e Prokurorisë Speciale Publike

LEXO: PSP – zhgënjim ose sukses?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button