Ligji që u votua nuk ishte vetëm për LGBT-në

Burimi: KriThink

Diskriminimet e çfarëdo lloji nuk janë të tolerueshme për gazetarin, për median, në përgjithësi. Natyrisht, për çështje të caktuara, gazetari si individ mund të ketë mendimet e tij personale por duhet të çlirohet komplet prej tyre gjatë shkrimit të lajmeve. Misioni i tij është mbrojtja e interesave të publikut. Në këtë tekst, gazetari ka dështuar në këtë mision.

Lajmi i plotë

Linku deri te artikulli origjinal: Votohet ligji i LGBT

Data e publikimit: 11.03.2019

Data e recensionit: 29.03.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Titull diskriminues për ligjin kundër diskriminimit

Ligji të cilit i referohet gazetari është ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Ndodh që për të qenë më të kapshëm për publikun, titujt e ligjeve ndryshohen në përdorim nga gazetari por kjo nuk duhet të bëhet me qëllime manipulimi. Ligji në fjalë nuk është vetëm për komunitetin LGBT siç shprehet autori prandaj titulli nuk mund të konsiderohet si i përshtatshëm.

Pasqyrim i pjesërishëm i fakteve

Përveç në titull, teksti ka probleme edhe në përmbajtje. Në të mund të vërejmë qasje të njëanshme duke mos pasqyruar në tërësi se çfarë përmban ligji por duke qenë selektiv në atë që transmeton në publik.

Ja një pjesë e tekstit:

Në Kuvend ka kaluar ligji për Parandalimin dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, me të cilin tani edhe komuniteti LGBT do të përfshihet si kategori ose bazë për mbrojtje nga diskriminimi në këtë ligj.

***

Në ligjin e deritanishëm për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit ishin numëruar të gjitha bazat e diskriminimit të mundshëm si përkatësia etnike, fetare, racore dhe të tjera, ndërsa me ligjin e ri tani shtohet edhe mbrojtja e komunitetit gej, lezbike dhe transeksual.”shkruhet në tekst.

Edhe pse në tekst nuk ka komente pozitive ose negative nga ana e gazetarit mbi ligjin, informimi është vendosur në kontekstin që nxjerrë në pah paragjykimet e tij, thekson se çfarë ka parashikuar ligji përpara ndryshimeve të fundit dhe thekson se cilët kanë qenë aktorët që sollën ndryshimet, duke drejtuar gishtin si në fajtorë. Askund në tekst nuk thuhet se çfarë ka sjellë deri te këto ndryshime dhe pse ata janë të rëndësishme ose të nevojshme. Kjo do të ofronte një pasqyrë më të qartë të të gjithë procedurës.

Gazetari duhet të promovojë tolerancën dhe të mbrojë liritë themelore

Kodi etik i gazetarëve parashikon që gazetari të promovojë gjuhën e tolerancën dhe barazisë.

Kodi etik i gazetarëve:

Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…

Me këtë tekst, gazetari “ka luajtur” me disa koncepte të manipulimit. Ai ka tentuar të informojë sipas bindjeve dhe preferencave individuale dhe jo me fakte. Kjo është teknika e “thirrjes së emocioneve”. Më tej u ka kushtuar më shumë rëndësi informacioneve që ngjallin më shumë emocione duke anashkaluar të tjerat, duke përdorur kështu teknikën e “preferencës për vëmendje selektive”.

Informim, jo diskriminim

Bazuar në të drejtat themelore të njeriut të njohura me Kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare, gazetari duhet të informojë në mënyrë objektive. Është i patolerueshëm çfarëdo lloj dallimi mes qytetarëve sepse për të, ato janë të gjithë njësoj. Në lajme, transmetohen vlerësimet “për” dhe “kundër” të aktorëve vendimmarrës por të shoqëruara me argumente. Nuk mund të anohet në mbështetje të njërës anë vetëm për shkak të bindjes personale, pa i dhënë mjaftueshëm argumente publikut dhe pa u interesuar për anën tjetër të medaljes.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button