Simovski: Nuk do të ketë keqpërdorim në regjistrimin e diasporës, do të shfrytëzohet metoda e kombinuar

Personat që jetojnë jashtë vendit do të regjistrohen në dy mënyra. Fillimisht do të mundësohet që nëpërmjet aplikacionit në ueb-faqen tonë këto persona vetë të regjistrohen, ndërkaq mundësia e dytë do të jetë që për personat që janë jashtë vendit të marrim të dhëna nga personat e tyre të afërt, anëtarë të familjeve që ndodhen në vend, njofton Portalb.mk.

Këtë sot e ka deklaruar drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski, përpara promovimit të projektit për “Avancimin e prodhimtarisë dhe përhapjes së të dhënave statistikore”.

Ai thotë se nuk do të ketë regjistrim klasik të diasporës ashtu siç ka pasur në vitin 2002 dhe duhej të kishte në vitin 2011.

“Do të mundohemi që në çdo mënyrë t’i përfshijmë sa më shumë që është e mundshme personat që janë jashtë vendit, pasi që ato informata na janë të rëndësishme, duke e pasur parasysh se Maqedonia ashtu si edhe vendet tjera të rajonit, për fat të keq është zonë emigracionale dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për popullatën e madhe që ka shkuar jashtë vendit dhe duam që të marrim informata për ata. Ky është qëllimi i vetëm me regjistrimin”, theksoi Simovski.

Ai shtoi se nuk duhet të ketë frikësime se do të ketë keqpërdorime me regjistrimin e diasporës.

“Në lidhje me frikësimet se do të ketë çfarëdo lloj keqpërdorimi në këtë pjesë, të mos frikësohet askush duke e pasur parasysh se do të shfrytëzohen të a.q. metoda të kombinuara. Gjithçka do të kontrollohet, do të shfrytëzojmë edhe regjistra, do të kontrollohet gjithçka dhe nuk do të ketë mundësi që të ketë lëshime. Lexoj nëpër portale se për shembull do të regjistrohen personat të cilët kanë vdekur, apo që nuk ekzistojnë, e gjithë ajo do të kontrollohet. Ne si institucion marrim informata për çdo lindje të fëmijës në shtetin tonë edhe jashtë vendit, por edhe ata që kanë vdekur jashtë vendit. Kështu që gjithçka do të kontrollohet, të gjitha të dhënat”, tha Simovski.

Ai thotë se nuk kemi statistika se sa shtetas tanë të huaj jetojnë jashtë vendit dhe është e pamundur që ta ndjekin migrimin, pasi që disa nuk e regjistrojnë migrimin dhe për atë këto persona janë të përfshirë në regjistrim.

Drejtori tha se ato persona që shkojnë jashtë vendit dhe kthehen prapë në vend, do t’u regjistrohet koha e kaluar jashtë vendit, për shembull, ata që shkojnë për të punuar gjatë ndonjë sezoni. Për ata që jetojnë atje dhe vijnë vetëm gjatë pushimeve dhe për vizitë të familjarëve dhe miqve, ajo mungesë atje nuk llogaritet si ndalesë e qëndrimit në vend.

Ai tha se sikur edhe deri më tani, në terren do të shkohet vetëm një regjistrues, ndërkaq në këto mjedise të përziera ku ka persona nga komunitete të ndryshme etnike që flasin gjuhë të ndryshme, për shkak të mundësisë që të regjistrohen në gjuhën amë, do të ketë nga dy ose më shumë regjistrues, por vetëm në ato raste.

Nga Qeveria thanë se në seancën e ardhshme do ta shqyrtojnë Ligjin për regjistrim të popullsisë.

“Nuk ka mospajtime, Ligji për regjistrim të popullsisë nuk ishte në rend dite dhe presim që për të të diskutohet në seancën e ardhshme”, tha Hoxha të mërkurën dhe shtoi se i njëjti është harmonizuar me të gjitha partitë.

Ndryshe, sipas propozim ligjit të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave duhet të bëhet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button