Heronjëve të tragjedisë së fshehtë e të errët

Kur e kuptoi se Atdheu i tij i dashur po shfytyrohej pakthyeshëm prej fundërrinave të politikës dhe sejmenëve të tyre eunukë – klasës gjitholloge intelektuale, ku bëjmë pjesë dhe unë, ti, ne…, Konica shkroi rrëfimin parabolik/ alegorik mbi Zullulandin e Afrikës dhe mbi zullutë zgjebo të saj.

Heroi i veprës është Denizullu-Serpe – diplomati injorant, që pandeh se është i aftë ta fitojë lirinë dhe pavarësinë e atdheut të katandisur shumëdimensionalisht.

Dy heronjtë tjerë të përrallës së gjeniut të letrave me vlerë estetike janë Zgjebua, që dinte disa fjalë italisht dhe Plugu, një dyzetvjeçar, që, siç shprehet autori: Ish stërvitur në një kolegj protestant, kish mësuar letrat e bukura klasike dhe moderne, kish udhëtuar në Evropë, këndonte përditë libra të thellë dhe kishte një kulturë të rrallë. Ky njeri, që ishte ndryshe prej gjithë zullunjëve, e përsëriste shpesh se vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet…

Ajo që nuk thuhet në vepër lidhet me mënyrën se si Denizullu-Serpe u bë  përnjëherësh në sytë e zullunjëve diplomat dhe dijetar i madh, sado që prapa vetes kishte vetëm historinë e shëtitjeve nëpër Afrikën e Veriut dhe përvojën si shërbëtor i Dervishëve të Sudanit. Kaq mjaftonte për t’u bërë hëro i madh në Zulluland dhe përfaqësues i popullit zullu në Paris e Londër, ku ishte objekt talljesh në mesin e burrështetasve të tjerë.

I tillë siç ishte, ai turpëroi edhe më keq popullin që përfaqësonte. Lëtërkëmbi mi i tij diplomatik me të cilin njoftonte botën për kombin fis të Zullulandit e vulosi me fund statusin e tij prej loloje, por kur mësonte për to populli zullu, shpërthenin vullkane entuziazmi, organizime tubimesh të mëdha gjithpopullore me daulle, britma, valle dhe këngë trimërishte, ku dominonin  ato të vrasjeve në pusi.

Në manifestimet e shpeshta të kësaj natyre nuk merrte pjesë vetëm Plugu, të cilin zullutë e konsideronin tradhëtar dhe të padenjë për të qenë pjesë e fisit të madh, sado që ai i fonte t’i kthehen punës, bashkimit, shkollës, qytetërimit. Ai ishte i vetmi që i kuptonte talljet e diplomatëve perëndimorë me idiotësirat e Denizullu-Serpes dhe i vetmi që guxonte ta thotë troç para turmës së hallakatur se: Jo vetëm nuk ishte i kënaqur, po ishte i helmuar, i plagosur në thellësi të zemrës… Ai i ftonte zullutë të mos u besojnë pallavrave të Serpes, sepse po bëhen qesharakë përpara botës: Ta dini, thoshte Plugu, se në sytë e Evropës  së qytetëruar ne  jemi negër dhe asgjë më tepër. Ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë në parbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besë raporteve që thonë gjëra të mira për ne, dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra. Ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i dërsitur, i lodhur… Prandaj: Mos dehuni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz me të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, ne mes të talljeve të përgjithshme. Bëhunu burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria… Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i cili s’dilni dot, dhe ai është ky: Doni indipendencën që të mundni të mbeteni zullunj, po duhet të mos mbeteni zullunj në daçi të fitoni indipendencën…

Kështu fliste Plugu para popullit, të cilin e donte me shkul shpirti, po, për ironi,  populli e përzuri nga atdheu, sepse ai e deshi Zullulandin e qytetëruar dhe të lirë dhe sepse deshi ta bëjë të pamundurën: TA LËROJË SHKËMBIN.

Sidoqoftë, Plugut, edhe pa leçitjen që ia bënë, iu mbush mendja ta braksisë përsijeta Zullulandin, të ikë në një vend të largët, ta gjejë një punë të përulur, me të cilën do ta fitojë bukën e gojës me duart e tij dhe ku do të jetojë si protagonist i harruar  i një tragjedie të fshehtë e të errët…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button