Infrastruktura: Një nga 15 rrethrrotullimet e premtuara në Çair pritet të ndërtohet këtë verë

Qyteti i Shkupit, në bashkëpunim me të cilin kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se do të bëhen rrethrrotullimet në këtë komunë, bën të ditur se për momentin është duke u bërë dokumentacioni projektues vetëm për një rrethrrotullim, për atë që lidh rrugën Qemjal Sejfulla dhe Brigadën e dytë maqedonase, gjegjësisht të shkolla fillore “Petar Zdravkovski-Penko”.

Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu thotë për Portalb.mk, se për momentin është duke u bërë dokumentacioni projektues për rrethrrotullimin në afërsi të shkollës “Penko” dhe se gjatë verës pritet të fillojnë punimet.

“Për momentin është duke u bë dokumentacioni projektues dhe planifikohet që punimet të fillojnë gjatë verës. Bëhet fjalë vetëm për rrethrrotullimin pranë shkollës fillore ‘Penko’”, tha për Portalb, Salihu.

Ai nuk dha informacion se kur pritet të kryhen punimet për projektin në fjalë dhe ndonjë shumë se sa do të kushtojë dhe tha sa nuk ka informacion sa i përket rrethrrotullimeve të tjera në këtë komunë dhe se në momentin që do të ketë ndonjë gjë konkrete do të informohet opinioni.

Nga komuna e Çairit thonë se ende janë duke u përpiluar këto projekte pasi që Qyteti i Shkupit me ligj kërkon që 15 metra minimum të jetë radiusi i rrethrrotullimeve, kusht i cili nuk plotësohet në shumicën e rrethrrotullimeve që u premtuan nga vetë Ganiu në fushatën parazgjedhore.

Rrugët e komunës së Çairit pothuajse gjithë kohës janë të stërngarkuara me makina dhe krijohet një kaos i madh trafiku në këtë pjesë të Shkupit. Kryetari i kësaj komunë, Visar Ganiu, premtoi se do ta zgjidh këtë kaos duke ndërtuar rrethrrotullime në disa rrugë, për të lehtësuar kështu qarkullimin e trafikut.

Ai në intervistën e Portalb.mk, tha se janë premtuar 15 rrethrroutllime, mirëpo për t’u realizuar ato duhet të ndryshohen disa ligje, të cilat sipas kësaj komune nuk janë ndryshuar ende.

Edhe pse kryetari ishte në dijeni për këto ligje,  dhe se fillimisht duhet të ndryshohen ato, ai megjithatë në fushatën paragjedhore u zotua se do të realizojë këtë projekt gjatë mandatit të tij si i pari i kësaj komune.

Deri sa komuna së bashku me Qytetin e Shkupit janë në përpilim e sipër të projekteve në fjalë, banorët e kësaj komune do të vazhdojnë të kenë trafik kaotik dhe të stërngarkuar në rrugët e kësaj pjese të qytetit.

Në këtë komunë për momentin ka vetëm një rreth rrotullim, ai që lidh komunën Çair me atë të Butelit, në të cilën u vendos përmendorja e shqiponjës dykrerëshe.

Ndërkaq kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu gjatë fushatës së tij parazgjedhore premtoi shumë gjëra lidhur me përmirësimin e kushteve të kësaj komune, e cila për vite të tëra është lënë në mjerim dhe në kaos të vërtetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button