Kosovë, Ambasada Britanike tërheqi mbështetjen për rekrutimin e kryesuesit e Bordit të ZRRE-së

Ambasada Britanike është e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mosvotimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të rekrutimit në pozitën e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), thuhet në njoftimin për opinionin të kësaj ambasade, shpërndarë sot mediave, njofton Koha.net.

“Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, ka rezultuar me rishpalljen e konkursit për këtë pozitë. Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ripërsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në vazhdim të njoftimit.

“Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksapaguesve britanikë. Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada thotë se kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirëstrukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata, gjithnjë sipas Ambasadës Britanike, kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRRE-së.

“Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuar asnjërin nga kandidatët e rekomanduar. Ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavarura, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës”, theksohet në reagimin dërguar mediave.

“Në rastin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë emëruar pesë kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues, që tregon se kur ka vullnet, emërimet mund të bëhen bazuar në meritë”, përfundon njoftimi i Ambasadës Britanike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button