Anketat për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, LSDM-së i dolën në pah, BDI-ja i fsheh

80% e votuesve të BDI-së do të votojnë në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale për kandidatin e përbashkët të partnerit koalicionues, Stevo Pendarovski. Kështu thonë anketat e brendshme të LSDM-së, deri te të cilat ka ardhur jo-zyrtarisht DW, ndërkaq për dallim prej kësaj, në anketën e M-Prospekt” të bërë për TV Telma, thuhet se 57% e votuesve të BDI-së do të votojnë për Pendarovskin, njofton Portalb.mk.

Artan Grubi
Artan Grubi

Në lidhje me zgjedhje presidenciale, nga BDI thonë se ata kanë bërë anketa, megjithatë të njëjtat janë për çështje të brendshme dhe nuk janë për opinionin dhe se për ata është me rëndësi që, anketat u kanë dalë me rezultate pozitive.

“Nuk i tregojmë rezultatet nga anketat pasi që janë për çështje të brendshme, s’janë për publikun. Me rëndësi është që do të fitojmë, jemi dy me një me të gjithë, minimum”, tha për Portalb.mk, Artan Grubi, deputet dhe shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Anketat e LSDM-së, Pendarovskin e shohin si favorit karshi Gordana Siljanovskës së VMRO-DPMNE-së, edhe atë për 8 deri në 10% që në rrethin e parë, apo për 90.000 vota përparësi. Por, këto të dhëna nuk janë të njëjta me anketën e “M Prospekt”, e cila përparësinë e Pendarovskit ndaj Siljanovskës e nxjerrë për vetëm 2.6%.

Sipas të dhënave nga anketat e porositura nga LSDM, votat e shqiptarëve në rrethin e parë do të ndahen mes Pendarovskit dhe Blerim Rekës, ndërkaq në rrethin e dytë, shumica e atyre që kanë votuar për Rekën, do të votojnë për Pendarovskin, ndërkaq një pjesë e tyre do të abstenojnë. Rreth 80% e votuesve të BDI-së janë deklaruar se me siguri do të votojnë për Pendarovskin që në rrethin e parë.

Këto rezultate janë në kundërshtim me ato të “M-Prospekt”, të cilat tregojnë se në rrethin e parë më shumë se gjysma e simpatizantëve të BDI-së (57%) do të votonin për Rekën, ndërkaq në rrethin e dytë do të votojnë për Pendarovskin, me çka mbështetja e tyre prej 25.7% për të në rrethin e parë, do të rritet në 58.6% në rrethin e dytë.

Anketat telefonike të pasigurta

Njohësit e metodologjisë për hulumtim të mendimit publik, thonë se kur bëhet fjalë për procese politike (zgjedhje dhe referendume), anketat më të sigurta janë në terren se sa nëpërmjet linjës telefonike dhe apo internetit. Sipas tyre, anketat telefonike dhe nëpërmjet internetit mund të japin rezultate afërsisht të sakta vetëm në anketat për qëllime komerciale – përdorim të prodhimeve apo shërbimeve të caktuara, ku të anketuarit më lirë mund të shprehen.

Por, situata është krejt e kundër kur të anketuarit pyeten për çështje politike. Arsye për këtë është mosbesimi i të anketuarve në lidhje me atë se kush me të vërtetë qëndron mbrapa telefonit, duke e pasur parasysh se vendi deri më tani ka kaluar nëpërmjet dy aferave të mëdha të përgjimeve të bisedave telefonike në mënyrë të paligjshme.

“Tërë kjo krijon pasiguri, por edhe frikë te të anketuarit gjatë komunikimit nëpërmjet telefonit. Për këto arsye, ata janë shumë të penguar kur duhet që të jenë të sinqertë për t’u përgjigjur për qëndrimet dhe qëllimet e tyre  nëse do të votojnë dhe për kë. Nëse zgjedhin që të përgjigjen në pyetjet e anketave, atëherë ata i zgjedhin pyetjet “më të lehta” dhe të cilat nuk mund të shkaktojnë situata të pakëndshme. Kjo ndikon që në fund rezultati i anketës të mos e pasqyrojë mendimin real. Këto rrethana eliminohen në terren, gjegjësisht kryerjen e anketës ballë për ballë”, sqarojnë ekspertët për DW.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button