Filloi programi për forcimin e kapaciteteve të bankave qendrore nga Ballkani Perëndimor, përfshihet RMV

Banka Qendrore e Gjermanisë, bashkë me shtatëmbëdhjetë banka tjera qendrore nga Sistemi Evropian i Bankave Qendrore (SEBQ), Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisionin Evropian, para dy ditësh filluan me realizimin e Programit të financuar nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve të bankave qendrore të vendeve kandidate dhe kandidatëve të mundshëm për anëtarë të BE-së nga Ballkani Perëndimor, njofton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një projekt dyvjeçar në kuadër të aktiviteteve për integrimin e institucioneve të bankave qendrore nga rajoni në SEBQ. Përveç bankës qendrore të Maqedonisë së Veriut, përfitues përfundimtar të projektit janë edhe bankat qendrore të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Në të njëjtën kohë, përfitues të programit janë edhe agjencitë për veprimtari bankare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës së Serbisë, si organe të veçantë për mbikëqyrje bankare. Për këtë program rajonal, BE ndau dy milion euro nga Instrumenti për Ndihmë Para-Aderimit (IPA 2).

Qëllimi i programit për forcim të mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të institucioneve të bankave qendrore të përfshira në projekt, para së gjithash, nënkupton forcim të mëtejshëm të mjeteve analitike dhe mjeteve të parapara në politikë, si dhe futjen e standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat nacionale.

Në dy vitet e ardhshme do të realizohet një program intensiv rajonal për trajnim në lidhje me çështjet nga fusha e bankave qendrore dhe mbikëqyrjes. Trajnimi në veçanti do të fokusohet në mbikëqyrjen bankare, stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe përfshirje financiare, zgjedhjen dhe trajtimin e kredive me probleme, politikën monetare, sistemet e pagesave, statistikën, harmonizimin e legjislacionit dhe integrimin në BE, politikat për menaxhim, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm.

Trajnimi do të mbahet prej ekspertëve të bankave qendrore popullore të SEBQ-së dhe BQE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button