Ikje nga drejtësia

Për më tepër, për skandalin tjetër korruptiv “Magjar Telekom” assesi të vihet deri te një përfundim gjyqësor dhe deri tek bartja reale e përgjegjësisë.

Para disa ditësh u përhap lajmi që vjedhësi i 300 qebapëve i cili para disa vitesh është dënuar për vepër penale – vjedhje e rëndë, është arratisur nga burgu. U përhapën shumë informata të ndryshme dhe spekulime lidhur me atë se kur saktësisht ky person është arratisur, tani, apo si që shkruajnë disa mediume, dy vjet më herët. Sidoqoftë, me këtë rast, qoftë edhe simbolik, rihapen dilemat e përhershme që na rrethojnë lidhur me zbatimin e ligjeve dhe vlefshmërinë e barabartë të parimit të ligjshmërisë, i cili është parim fondamental jo vetëm i të drejtës penale por edhe i sundimit të ligjit në përgjithësi, si vlerë themelore e popujve të civilizuara dhe po ashtu si vlerë themelore e numëruar në Kushtetutën e këtij shteti.

Fakti që dikush ka qenë i dënuar për vjedhje të rëndë për atë sepse ka vjedhur 300 qebapë në një lokal të mbyllur gjatë kohë u konsiderua si një shembull i drejtësisë selektive. Deri sa shumë funksionarë u akuzuan dhe disa bile edhe u dënuan për raste të rënda korrupsioni dhe keqpërdorime me buxhetin shtetëror në shuma marramendëse (shumë më të mëdha se sa 300 qebapët dhe i gjithë inventari i qebaptores në fjalë) arrijnë me vite t’i ikin përgjegjësisë penale dhe vuajtjes së dënimit, të dënuarit për vepra penale të cilët nuk janë funksionarë shtetërorë shumë më lehtë dënohen dhe shkojnë në vuajtje të dënimit.

Asnjëherë askush nuk e ka kontestuar faktin se vjedhja është vepër penale. Reagimet e të gjithëve që kanë kërkuar drejtësi kanë qenë pikërisht në vijën se ligjet duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Fundja ashtu ka thënë edhe Bekaria, që ligji duhet të vlejë njësoj, nga kasollja deri tek pallati mbretëror, ose në kushtet tona, Kodi Penal duhet të vlejë edhe për vjedhësin e 300 qebapëve por edhe për ato figurat e shquara të politikës së vendit të cilët u akuzuan e u dënuan për keqpërdorime të shumave marramendëse të parave të buxhetit. Ligji duhet të vlejë si për ata që kryejnë vepra penale të “zakonshme” ashtu edhe për ata që hynë me dhunë në Kuvend me 27 prill të vitit 2017, po ashtu edhe për ata që duke hapur dyert e Kuvendit e bënë të mundur një gjë të tillë. Nga ana tjetër, ligji duhet të vlejë edhe për Gruevskin që duhej të shkojë në vuajtje të dënimit, së pari për keqpërdorimin e pozitës zyrtare lidhur me blerjen e atij Mercedesi të famshëm ku nuk u vodhën 300 qebapë por 600.000 euro nga buxheti i shtetit.

Kur ligji nuk vlen për të gjithë dy janë opsionet. Ose do të insistohet që të vlejë për të gjithë njësoj ose në të kundërt do të kemi situata të këtilla të arratisjeve të njëpasnjëshme. Një ditë vjedhësi i 300 qebapëve do të arratiset, tjetër ditë dikush tjetër që i duket absurde të vuajë dënim me burg për ndonjë vjedhje “të rëndomtë” kur “peshqit e mëdhenj” vazhdojnë të notojnë të papenguar po ashtu do të merr arratinë. Dhe dalë ngadalë gjithnjë e më tepër do të flasim për “kriminalitet të rëndomtë”. Sikur mund të jetë i rëndomtë cilido kriminalitet. Ligji ose vlen ose nuk vlen dhe nuk mundet edhe të vlejë edhe të mos vlejë njëkohësisht.

Në një realitet të tillë kur me Ligjin për Amnisti për ngjarjet e 27 Prillit nga 36 të akuzuar u dënuan vetëm 16 ndërsa 19 të tjerë u amnistuan është shumë e vështirë ta bindni dikë që duhet të bartë përgjegjësi për veprimet e veta sado kriminale qofshin ato. Ndërsa momentet kur në një shtet kriminaliteti fillon të arsyetohet, nuk kontribuojnë fare që ai shtet të bëhet një shtet i së drejtës. Dhe ja tani ku jemi, duke krijuar grupe punuese të cilat e diskutojnë pafundësisht Ligjin e ri të prokurorisë publike ku duhet të rregullohet edhe statusi i Prokurorisë speciale publike. Ky ligj jo vetëm që është njëra ndër kërkesat e qarta të UE për të vendosur lidhur me hapjen e bisedimeve për aderim në këtë union, por njëherit është edhe prishje e rehatisë për shumë nga funksionarët politikë lidhur me të (pa)bëmat e tyre dhe lidhur me përgjegjësinë që duhet të mbajnë për ato.

Për më tepër, për skandalin tjetër korruptiv “Magjar Telekom” assesi të vihet deri te një përfundim gjyqësor dhe deri tek bartja reale e përgjegjësisë.

Në një situatë të këtillë çdo përpjekje për të zbatuar ligjin humb dukshëm nga kuptimi dhe krijon situata të cilat ne esencë duken skajshmërish të padrejta. E vetmja gjë më e rrezikshme se mungesa e plotë e drejtësisë është drejtësia e pjesshme. E para krijon kushte për luftë të përbashkët kundër padrejtësisë, ndërsa e dyta përveç padrejtësisë krijon edhe ndasi mes qytetarëve dhe si rrjedhojë, lufta për drejtësi bëhet e pamundur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button