Ligji i ri për urbanizëm nuk do t’i shërojë shprehitë e këqija në ndërtimtari

Edhe me ligjin e ri për planifikim urbanistik, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare për votim, nuk do të ndryshohen shprehitë e këqija në ndërtimtari. Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve të Maqedonisë (SHAM), Martin Panovski, për “Meta”, thotë se në ligjin e propozuar, që qeveria ka miratuar dhe e ka dërguar në Kuvend, ka shumë elemente të pa definuara, transmeton “Portalb“.

Përveç takimit fillestar, të iniciuar nga Ministria e transportit dhe lidhjeve, në të cilin është biseduar rreth nevojës për ndryshim të Ligjeve ekzistuese për planifikimin urbanistik dhe ndërtimtari, Panovski thekson se SHAM s’ka qenë fare e ftuar për të marrë pjesë në procesin e përgatitjes së Ligjit të propozuar për planifikim urbanistik, dhe se ligji nuk është dërguar zyrtarisht te ata.

.

“Zyrtarisht, qeveria tha se do të bashkëpunojë me organizatat joqeveritare në hartimin e ligjeve, por bashkëpunimi i tillë nuk ka ndodhur. Kësaj radhe, nuk na nderuan as me mundësinë që ta shohim ligjin”, thotë kryetari i SHAM.

Ivan Arsovski, urbanist – planifikues, vë në dukje se edhe me Ligjin e propozuar për planifikim urbanistik nuk do të zgjidhet problemi kryesor dhe më i madh, e ky është mos sinkronizimi i legjislacionit. Ai jep shembullin me Ligjin, tashmë të miratuar, për gjelbërim urban, dispozitat e të cilit për gjelbërim minimal në planin urbanistik, nuk janë përfshirë në Ligjin e ardhshëm për planifikim urbanistik.

Mos sinkronizimin e ligjeve e thekson edhe Panovski, i cili thotë se ligji i ri për urbanizëm nuk do ta zgjidhë problemin e ekzistencës së sistemit paralel në ndërtimtari. Me ekzistencën e dy ligjeve – Ligji për planifikim hapësinor dhe urbanistik dhe Ligji për trajtim të ndërtimeve pa leje, në fakt, u lihet hapësirë investitorëve që, në mënyrë krejtësisht të ligjshme, ta zgjedhin procedurën sipas cilës do të realizojnë ndërtimin e objekteve.

.

“Ndoshta do të mund të kuptoja ligjin e parë ndërtimet e paligjshme nëse thuhet fund për ndërtimet e paligjshme – kush bën ndërtim të paligjshëm në të ardhmen, objekti do të rrënohet që ditën e nesërmen, së bashku me padi penale dhe të gjitha procedurat tjera me ligj”,  thekson Panovski.

Ekspertët paralajmërojnë se në Ligjin e propozuar për planifikimin urbanistik ka shumë paqartësi, të cilat lënë mundësi që ai të interpretohet në një mënyrë apo një tjetër. Panovski e vuri në dukje mundësinë e pezullimit të planit të detajuar urbanistik (PDU) për një periudhë prej 6 deri 12 muaj, por askund nuk është saktësuar se sa herë mund të pezullohet një PDU. Përveç kësaj, askund nuk është saktësuar se kush do të jetë përgjegjës dhe cilat janë pasojat nëse përcaktohet se plani është i paligjshëm.

Arsovski shton, se ligji i propozuar nuk e përcakton qartë se çka paraqet “interes publik”, as nuk ka përfshirje të kategorive të rëndësisë së parë ose të dytë sipas shembullit të Ligjit për trashëgimi kulturore. Ai thotë se nevojitet ligj i ri, por më me rëndësi është miratimi i Planit urbanistik të ri të përgjithshëm (PGJU) të Qytetit të Shkupit, për shkak se aktualisht nuk ka harmonizim të PDU-ve të caktuara me PGJU-në për shkak të problemit me dendësinë e madhe të popullatës në disa pjesë të komunave qendrore të Shkupit.

Të dy ekspertët pajtohen se Ligji i ardhshëm për planifikimin urbanistik nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në urbanizëm në vend.

“Nuk ka vizion për atë se si të zhvillohet planifikimi urbanistik në Maqedoni. Ligji është, pak a shumë, i njëjtë, gjegjësisht ekziston vetëm korrigjim i disa neneve të ligjeve të mëparshme”,  përfundon Panovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button