RMV, ndërmarrjet publike i udhëheqin persona pa përvojë pune, madje dhe drejtorë me shkollë të mesme

Ndërmarrjet publike në Maqedoninë e Veriut udhëhiqen nga njerëz pa përvojë pune, disa prej tyre madje janë edhe me shkollë te mesme, ndërkaq perceptimi i qytetarëve është se personat udhëheqës janë emëruar sipas linjave partiake dhe jo sipas meritokracisë.
Kështu tregon analiza e Institutit për Demokraci Societas Civilis (IDSCS) “Kush atje po menaxhon?”, nëpërmjet të cilit është analizuar performanca e ndërmarrjeve publike, ndërmarrjeve shtetërore dhe organeve të pavarura shtetërore në lidhje me atë se sa adekuate janë menaxhimi dhe procedurat e menxhaimit, por edhe sa janë rezistente ndaj klientelizmit dhe korrupsionit.

“Atë që e pamë si konkluzion është se ekziston mungesë serioze e përvojës, tek ata që udhëheqin me ndërmarrjet publike me trupat e pavarur dhe rregullator, veçmas tek anëtarët e këshillat udhëheqëse dhe mbikëqyrëse ku kemi parë se thuajse gjysma e tyre kanë mungesë të përvojës në fushën e institucioneve të punës. Ata janë persona të cilët janë në fillim të karrierës në atë fushë.  Propozojmë që publikisht të zgjedhen, të përforcohen kriteret për zgjedhje, ndryshime ligjore veçanërisht të Ligjit për ndërmarrje publike, të cilat më tej do të ndihmojnë që të zgjedhen personat më të mirë që do të udhëheqin me këto institucione. Është e nevojshme të kthehet besimi i qytetarëve në zgjedhjen e këtyre udhëheqësve pasi që shumica e qytetarëve, madje mbi 80% mendojnë se këto zgjedhje bëhen sipas linjës partiake”, tha hulumtuesi i IDSCS-së, Misha Popoviq.

Ai gjithashtu tha se ka një numër të vogël, pra rreth 2% të drejtorëve të ndërmarrjeve publike të cilët janë emëruar vetëm me shkollë të mesme dhe sipas tij, sado që të jetë i vogël ky numër, kjo tregon se sistemi ka mundësuar emërimin e udhëheqësve pa shkollim përkatës.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski theksoi se do t’i marrin me seriozitet rekomandimet që kanë dalë nga ky hulumtim dhe se të njëjtat do të jenë në dobi për planin reformues në fushën e administratës.

Foto nga ngjarja
Foto nga ngjarja

“Do t’i marrim parasysh këto rekomandime se të njëjtat janë në frymën e ndryshimeve që po bëhen me postet udhëheqëse në nivel qendror. Ne me ndryshimin e ligjit për poste të larta udhëheqëse po sjellim frymë të re me qëllim që t’i ndajmë postet profesionale dhe ato të cilët vendosen sipas bazave politike”, tha ministri Mançevski.

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Rejçel Gallovej, e përshëndeti hulumtimin dhe tha se kjo është me rëndësi pasi që ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe se duhet ende shumë punë.

“Kjo ndikon drejtpërdrejtë në jetën tonë, në ujin që e pimë dhe në mbeturinat që i hedhim. Sundimi i mirë i ligjit mundëson që të mos ketë vend korrupsioni, ne presim transparencë gjatë procedurës së emërimit. Vetëm 29% e udhëheqësve janë gra, kjo tregon se na duhet ende shumë punë. Britania e Madhe është mbështetëse e reformave në fushën e administratës”, tha ambasadorja Gallovej.

Ndryshe, hulumtimi “Drejt qeverisjes së mirë në nërmarrjet shtetërore”, jep 6 rekomandime me qëllim të tejkalimit të gjendjes aktuale.

  1. Të rivlerësohet statusi juridik i ndërmarrjeve publike, në raport me shoqëritë tregtare në pronësi të plotë shtetërore.
  2. Të rivlerësohet mënyra e menaxhimit dhe mbikëqyrja e punës mbi të gjitha organet e krijuara në të cilat janë të vendosura dhe veprojnë këshillat udhëheqës dhe mbikëqyrëse, si nga aspekti i kualifikimeve profesionale të cilat duhet t’i kenë njerëzit të cilët do të emërohen në këto organe, ashtu dhe nga aspekti i kryerjes efikase të kompetencave juridike të këtyre organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse në mënyrë efikase dhe ekonomike.
  3. Të vendoset legjislacion sistemor në lidhje me trupat rregullator.
  4. Të përcaktohen kushte të sakta ligjore për zgjedhje dhe shkarkim të personave drejtues të organeve shtetërore, të cilat do të jenë të ndërlidhura e juridiksionin e këtyre organeve si dhe performancën e këtyre personave në punën e tyre.
  5. Të përshkruhet procedurë korrekte, transparente dhe mërit procedurë për zgjedhje të kandidatëve në pozicione udhëheqëse.
  6. Të bëhet analizë vertikale dhe horizontale ligjore e kompetencave të trupave rregullatorë, organet e pavarura shtetërore dhe organet e administratës shtetërore, nga të cilat do të burojnë rekomandime për riorganizimin e brendshëm të këtyre institucioneve.

Ky hulumtim është bërë me mbështetje financiare të Ambasadës së Britanisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button