Këshillat e Etikës së Ballkanit kërkojnë financim stabil nga donatorët dhe autoritetet shtetërore

Këshillat për Etikë të disa vendeve ballkanike, nga konferenca rajonale që u mbajt në Shkup, kërkuan nga donatorët potencial dhe nga autoritetet shtetërore të sigurojnë përkrahje stabile për funksionim të pavarur të këtyre trupave, shkruan “Meta”, transmeton “Portalb”.

“Vetëqëndrueshmëria e këshillave të etikës – mit apo realitet për rajonin e Ballkanit dhe Turqisë”, është tema e konferencës që Këshilli i Etikës së Mediave të Maqedonisë e organizoi në Shkup.

“Edhe pse rëndësia e këshillave mbi etikën dhe vetë-rregullimin përgjithësisht pranohet, mbijetesa e këtyre trupave të vetëqëndueshëm është vënë në pyetje.  Edhe pse më shumë këshilla të Etikës në Evropë janë krejtësisht të financuar nga industria mediale dhe mediat, situata e palakmueshme në të cilën ndodhen mediat në shtetin tonë e bën këtë model të pamundur”, theksoi Marina Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës në media.

Pjesëmarrësit në konferencë dolën me deklaratë të përbashkët. Ata thonë se sipas UNESKO-s, Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, si dhe sipas institucioneve dhe organizatave në vendet ku veprojnë, këshillat për etikë në media dhe dhe vetë-rregullimi sjellin një të mirë publike që përbëhet nga ngritja e besimit të publikut në media; ngritja e standardeve profesionale në gazetari dhe, në përgjithësi, zhvillimi i gazetarisë së mirë; lufta kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme; zvogëlimin e numrit të padive para gjykatave civile ose penale për shpifje dhe fyerje; si dhe shpërndarjen e njohurive mediatike.

Për këtë shkak, këshillat etik të mediave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia apeluan deri te donatorët dhe autoritetet të ndihmojnë në sigurimin e përkrahjes stabile financiare për mbijetesë institucionale të këtyre organizatave profesionale, por edhe të ndihmojnë në afirmimin e misionit dhe qëllimeve të këshillave në media.

“Ky apel nuk e përjashton vetëfinancimin evendual të organizatave tona përmes mekanizmit të anëtarësisë nga ana e mediave dhe industrisë mediale. Por, duke e pasur parasysh gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhen mediat dhe industria, apelojmë për përkrahje më të madhe dhe vetëdije për nevojat e ekzistimit të organizatave tona”, thuhet në deklaratën në të cilën kërkohet vendosje e fondit të pavarur për përkrahje të këshillave të etikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button