Xhaferi ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Nismës Adriatiko-Joniane

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua sot me sekretarin e përgjithshëm të Nismës Adriatiko-Joniane, Ambasadorin Giovanni Castellaneta, i shoqëruar nga anëtarët e Sekretariatit dhe Ivan Ivanisheviq, drejtor i përgjithshëm për çështjet multilaterale në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, në funksion të vendit kryesues me iniciativën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga kabineti i Xhaferit, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut gjatë takimit ka theksuar se angazhimi shumëvjeçar i vendit për anëtarësim në këtë nismë, i cili për shkaqe të arsyeshme nuk ka qenë e mundur të realizohet, pas tejkalimit të kontestit me Republikën e Greqisë u bë realitet dhe ai është Kryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili ka marrë pjesë në mbledhje të kryetarëve të parlamenteve në Mal të Zi, para disa javësh.

Kryetari Xhaferi i ka informuar bashkëbiseduesit se të gjitha institucionet në vend kanë punuar me përkushtim në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në tejkalimin e të gjitha çështjeve të hapura, të cilat janë në drejtim të ndryshimit të perceptimit për rajonin si gjenerator të konflikteve.

„Anëtarësimi në këtë iniciativë kontribuon për lidhshmëri më të madhe rajonale, por edhe për stabilitetit më të madh politik dhe ekonomik.  Duke i pasur parasysh se në mesin e sferave prioritare të iniciativës janë turizmi dhe kultura të cilat u mundësojnë vendeve që të njoftohen më afër dhe të bashkëpunojnë reciprokisht, mbetemi të hapur për bashkëpunim në të gjitha sferat me interes të përbashkët me të gjitha vendet anëtare“, ka theksuar Xhaferi.

Ambasadori Castellaneta duke dërguar edhe njëherë përgëzime për anëtarësimin e vendit në Iniciativën Adriatiko-Joniane, që e ka hapur edhe rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe anëtarësimit të ardhshëm në BE, ka shprehur pritje për bashkëpunim më të ngushtë, përcjellje të përvojave, mbështetje dhe ndarje të kulturës nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut me vende tjera të iniciativës.

Castellaneta, thuhet në njoftim, ka ofruar ndihmë për qeverinë dhe për administratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që vendi të mund t’i përmbushë obligimet e tij dhe të jetë partner konstruktiv në kuadër të iniciativës.

Delegacioni gjithashtu ka informuar për proceset aktuale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kontekst të anëtarësimit në NATO dhe në lidhje me përgatitjet në pritjen e datës zyrtare për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button