Dita Botërore e Teatrit: RMV-ja larg plotësimit të nevojës së teatërdashësve shqiptarë

27 Marsi – Dita Botërore e Teatrit, Republikën e Maqedonisë së Veriut e gjeti me disa risi, por ende larg përmbushjes së nevojës së publikut teatërdashës. Shfaqje teatrore në objektin e rindërtuar të Teatrit Shqiptar të Shkupit do të jepet në muajin shtator, kurse në Teatrin e ri të Gostivarit në shtator. Gjatë vitit 2019-të pritet të përfundojë faza e parë e ndërtimit të objektit të Teatrit të Tetovës, ndërkaq asnjë zhvillim nuk ka në Teatrin e Kumanovës. Pa Teatër mbeten Dibra dhe Kërçova, edhe pse të njëjtat dëshmuan se kanë publik, transmeton Portalb.mk.

Pamje të sotme nga salla e objektit të rindërtuar të Teatrit Shqiptar në Shkup
Pamje të sotme nga salla e objektit të rindërtuar të Teatrit Shqiptar në Shkup

Objekti i rindërtuar prej pesë vjetësh i Teatrit Shqiptar të Shkupit u paralajmërua se do të lëshohet në përdorim në fund të tremujorit të parë të këtij viti, por siç njoftoi sot pjesëtarja e Teatrit, Anita Latifi në shfrytëzim do të jetë në muajin maj, kurse premiera e parë do të shfaqet në shtator.

“Në maj planifikojmë që ne të punësuarit ta kemi në shfrytëzim, ndërkaq premiera pritet të jetë në muajin shtator”, tha Latifi.

Këtë vit në funksion do të jetë edhe një teatër i ri, ai i Gostivarit. Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Berat Saliu njoftoi se në përfundim e sipër janë punët administrative për vënien në funksion të Teatrit të Gostivarit, kurse shfaqja e parë pritet të jetë në fund të muajit maj.

Berat Saliu
Berat Saliu

“Teatrin kemi arritur ta regjistrojmë në Regjistrin Qendror, ndërkaq gati e kemi edhe programin vjetor. Planifikojmë që shfaqjen e parë ta prezantojmë në fund të muajit maj, ose fillimi i muajit qershor”, tha Saliu.

Në RMV janë edhe dy teatro të tjera, i Tetovës dhe i Kumanovës. Teatri i Tetovës është në ndërtim të sipër, por ende gjendet në fazën e parë të punimeve të cilat priten të përfundojnë në fund të vitit 2019-të. Faza e parë nënkupton kompletim të pjesës ndërtuese, ndërkaq faza e dytë është kompletimi me inventar të objektit dhe sallës së skenës. Teatri i Tetovës për momentin funksionon në kuadër të Pallatit të Kulturës së Tetovës.

Gjendja më e vështirë është me Teatrin e Kumanovës i cili në praktikë funksionon me dy lloj teatrosh: Drama Shqipe dhe Drama Maqedonase. Që të dyja funksionojnë në kudër të një objekti i cili ka një sallë, ndërkaq programin vjetor e realizojnë si një institucion. Për vitin 2019-të janë financuar katër shfaqje, dy shqiptare dhe dy maqedonase.

Sipas përgjegjësit në praktikë të Dramës Shqipe, Qazmedin Nuredini, me urgjencë në këtë teatër duhet të ketë ndryshime, fillimisht në ndarjen zyrtare të institucionit dhe Drama Shqipe të funksionojë si objekt vetanak, ndërkaq më pas duhet të shikohet edhe aspekti teknik – rindërtimi apo ndërtimi i objektit ekzistues. Me buxhetin e viti 2019-të të Ministrisë së Kulturës është paraparë rikonstrumi i Teatrit të Kumanovës.

Qazmedin Nuredini
Qazmedin Nuredini

“Për Teatrin e Kumanovës ka shumë të flitet, sepse këtu nuk funksionon pothuajse asgjë. Ne funksionojmë si trup në praktikë, por mjete dhe kushte nuk kemi. Ngaqë teatri është ndërtuar që nga viti ’65, dhe nga atëherë nuk është vendosur as edhe një gozhdë, ndërtesa dhe kushtet që janë janë të këqija. Prej vitit 2011, në Teatrin e Kumanovës funksionon edhe Drama Shqipe, dhe meqë në një objekt funksionojmë dy trupa teatrore, ajo maqedonase dhe shqiptare, gjendja është përkeqësuar edhe më shumë. Gjendja është përkeqësuar në aspekt të menaxhimit të shfaqjeve, të objektit dhe të një programi. Drama Shqipe tash për tash zyrtarisht nuk ka përgjegjës, i cili do ta udhëhiqte Dramën Shqipe dhe që të mundemi më pas edhe në Ministri të aplikojmë si institucion në vete. Tash kur ndahen projektet, dy projekte i ka Drama Maqedonase dhe dy ajo Shqipe. Kjo na kufizon dhe është shumë larg nevojës së publikut”, tha Nuredini.

Duke shtuar më tej, Nuredini tregoi se disa herë është kërkuar për zyrtarizmin e Dramës Shqipe si institucion dhe rindërtimin e objektit të Teatrit të Kumanovës.

Në vitin 2018 u parapanë nga 250 milionë denarë për Teatrin e Tetovës dhe të Shkupit për përfundim të punimeve, punimet nuk përfunduan, mjete për të dy institucionet u parapanë edhe me buxhetin e vitit 2019, për atë të Tetovës – përfundimin e fazës së parë të ndërtimit – 100 milionë denarë, dhe për Teatrin e Shkupit – nisjen e punës – 50 milionë denarë.

“Për Teatrin Shqiptar në Shkup janë paraparë 50 milionë denarë, me çka besojmë se përfundimisht do të përfundojë rikonstruimi i atij objekti dhe do të jepet në përdorim. Ndërsa për përfundimin e fazës së parë të objektit të Tetovës janë paraparë 100 milionë denarë. Pikë së pari le të përfundojë faza e parë e ndërtimit të Teatrit të Tetovës, pastaj duhet të hapet tenderi publik. Presim që projekti të jetë gati, që të merren të gjitha lejet e nevojshme, e pastaj të hapet tenderi për fazën e dytë”, tha ministri i Kulturës, Asaf Ademi gjatë prezantimit të Buxhetit për vitin 2019-të.

LEXO: Viti 2019, për kulturë janë ndarë 3,1 miliardë denarë: Qasje në kulturë për të gjithë qytetarët

Pamje nga objekti i rindërtuar i Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button