Popovski: Vetërregullimi i nevojshëm për gazetari më cilësore dhe profesionale

Në organizim të Këshillit të Etikës së Mediave të Maqedonisë së Veriut (KEMM), sot në Shkup filloi konferenca dyditore me temë “Sfidat e vetërregullimit të medias në rajonin e Ballkanit dhe Turqi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri pa resor përgjegës për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë i Maqedonisë së Veriut, Robert Popovski, dhe drejtoresha ekzekutive e KEMM-së, Marina Tuneva, u adresuan para të pranishmive.

Robert Popovski deklaroi se vetërregullimi është një nga temat më të rëndësishme lidhur me standardet e profesionit të gazetarit dhe gazetarisë profesionale në përgjithësi.

“Shprehja më e mirë është ajo që shumë njerëz e zbatojnë duke punuar në këtë profesion, që është, sa më pak rregullim, aq më mirë, ose sa më shumë vetërregullim, aq më mirë. Shteti është këtu për të mundësuar ambient që mediat të funksionojnë të lira nga çdo ndikim”, tha ministri Popovski, duke shtuar se cilësia e profesionit të gazetarisë varet nga vetë gazetarët, mediat dhe punonjësit e medias.

Popovski tha gjithashtu se opinioni publik ka nevojë për të rikthyer besimin edhe në media, politikë dhe mënyrën e funksionimit të sistemeve, dhe nga këto arsye, siç theksoi ministri, përmes vetërregullimit të arrihet një gazetari e vërtetë, profesionale dhe cilësore.

Nga ana tjetër, Marina Tuneva vuri në dukje se rezultatet e afirmimit të vetërregullimit do të nënkuptojnë gazetari më cilësore, informacion cilësor për qytetarët dhe liri nga ndikimi i qendrave të pushtetit.

Konferenca dyditore do të trajtojë shkeljet më të zakonshme të kodeve të etikës, tha Tuneva, duke shtuar se “Theks i veçantë do të vihet në çështjen e vetekzistimit të këshillave të etikës, që në mënyrë të barabartë ka të bëjë me të gjithë ne dhe që drejtpërdrejt ndikon në vazhdimin dhe mirëmbajtjen e misionit të organizatave tona”.

Ajo gjithashtu tha se në konferencë do të diskutohet edhe vetërregullimi ose rregullimi i mediave online, për të cilat është duke u zhvilluar debat intensifikuar në vend, rajon më gjerë në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button