BFI: Për pronat vakëfe do të flasim pas zgjedhjeve, nuk duam të shfrytëzohet për çështje politike

Çështjen e denacionalizimit të pronave vakëf do ta riaktualizojmë pas zgjedhjeve presidenciale, pasi që nuk duam të shfrytëzohemi për çështje politike. Kështu deklarohen nga Bashkësia Fetare Islame, në lidhje me letrën që Qeveria e Maqedonisë ua publikoi dhe në të cilën ata kërkojnë që t’u kthehen pronat që janë përvetësuar nga shteti, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësuesit e BFI-së, sot nëpërmjet në takimi joformal me gazetarët njoftuan se gjatë periudhës parazgjedhore do të pushojnë me kërkesat e tyre deri te autoritetet qeveritare për kthimin e pronave të tyre që ua ka përvetësuar shteti, pasi që nuk duan që të shfrytëzohen për çështje politike.

Bashkësia Fetare Islame (BFI)
Bashkësia Fetare Islame (BFI)

Gazetarët sot u ftuan në takim me përfaqësuesit e BFI-së pasi që Qeveria para ca ditësh e akuzoi BFI-në se nëpërmjet një letrës ajo e ka kërcënuar dhe shantazhuar se para zgjedhjeve presidenciale do të lobojë deri te 700 xhamitë e vendit, për diskriminimin afatgjatë ndaj tyre.

Kjo letër ka shkaktuar tensione mes Qeverisë dhe BFI-së dhe është dërguar pas problemit me Xhamin e Ali Pashës në Ohër, për të cilën po kontestohet ndërtimi i minares. Nga BFI-ja thonë se “Gota është derdhur”, pasi që Zaev është takuar me iniciativën qytetare “Sovest” për të diskutuar për rikonstruimin e Xhamisë së Ali Pashës, edhe pse për të njëjtën ekziston dokumentacion përkatës.

Fotografi të Xhamisë "Ali pasha" në Ohër derisa ka pasur minare, gjegjësisht deri në vitin 1972
Fotografi të Xhamisë “Ali pasha” në Ohër derisa ka pasur minare, gjegjësisht deri në vitin 1972

Sipas tyre, “Sovest” propagandon për qëllime politike për t’u ndaluar ndërtimi i minares. Këtë dyshim më tepër e mbështet BFI, pasi që kryetari i kësaj iniciative, Mihail Trendafilov – Nançe është kandiduar për kryetar të Komunës së Ohrit.

Në lidhje me letrën, pretendimet e Qeverisë se letra e BFI-së ndaj tyre ka qenë shantazh, nga BFI thonë se ata nuk shantazhojnë, por e kërkojnë pronën e cila u takon, ndërkaq kjo letër nuk është e vetmja, por edhe më herët për të njëjtën çshtje kanë dërguar letra, por edhe kanë folur në takime.

Letra e BFI-së që i është dërguar Qeverisë
Letra e BFI-së që i është dërguar Qeverisë

“Nuk kemi kërcënuar dhe shantazhuar askënd. BFI është e ofenduar nga kualifikimi se letra të cilën e kemi dërguar qenka shantazh. Ne orientohemi nga rregullat e shenjta islame dhe përpiqemi të kultivojmë dialogun. Qëndrimi ynë nuk duhet që të konsiderohet shantazh sepse, ai në fakt është thirrje për tejkalimin e problemeve të grumbulluara ndër vite. Përvetësimi i pronës së huaj paraqet grabitje. Qëndrimi selektiv ndaj bashkësive fetare, kur është në pyetje kthimi i pronave të nacionalizuara dhe marrja e tokave dhe të dhuruarit e trojeve dhe objekteve atraktive të bashkësive të caktuara fetare është diskriminim”, thonë nga BFI, duke u apeluar organeve shtetërore gjegjëse që të nisin një dialog konstruktiv, efektiv dhe të sinqertë, pa premtime boshe.

Nga BFI mes tjerash kërkojnë që të zgjidhet çështja me Jeni-Xhaminë në Manastir, xhaminë në fshatin Llazhec, në të cilin nuk lejohet ndërtimi i xhamisë edhe pse fshati është multinacional. Ata thonë se në Ohër kanë humbur pa kurrëfarë kompensimi dy xhami të vjetra – Imaretit dhe Haxhi Kasamit. Problemin me rikonstruimin me Xhaminë e Ali Pashës në Ohër. Problemin me Xhaminë e Hysamedin pashës në Shtip, e cila i është shitur Kishës Ortodokse Maqedonase nga ana e Ministrisë së Financave etj.

BFI-ja thotë se shumë prona të tyre ndodhen në labirintet gjyqësore dhe thuajse gjysma e tyre nuk janë kthyer. Prej gjithsej 4 milionë metra tokë dhe 42 mijë metra dyqane, nga BFI-ja thonë se gjysma e tyre janë në proces.  Ata i përmendin si toka vakëfi vendin e gjykatave themelore Shkupi 1 dhe 2, Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, Birraria e Shkupit, Akademia e Shkencave dhe Arteve, Banka Popullore, Hekurudha, Ministria e Punëve të Brendshme etj.  Për këto toka thonë nga BFI, janë të vetëdijshme që s’mund të kthehen, megjithatë i theksojnë disa vende tjera si për shembull, Çarshia e Vjetër, Kapanani, Suliani, Bezisteni dhe vende tjera.

“Apelojmë që menjëherë, pa e zgjatur, të heqim drynin nga problemet e grumbulluara”.

Në lidhje me përgjigjen e Qeverisë se ata nuk janë përgjegjës dhe se duhet që të drejtohen deri te organet kompetente, duke aluduar në institucionet gjyqësore, nga BFI thonë se Qeveria nuk duhet të tërhiqet nga përgjegjësia, pasi që procesi i denacionalizimit udhëhiqet nga Ministria e Financave, që është pjesë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button