Trump: Asnjë president nuk duhet të hetohet për “tregime të rreme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, la të kuptohet se armiqtë e tij politikë mund t’i shpaguajnë “gjërat e këqija” që i kanë bërë.

Komentet u bënë pas publikimit të përmbledhjes së raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili konstatoi se ai nuk ka bërë komplot me Rusinë, që kjo e fundit të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016, për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit president.

Raporti, megjithatë, nuk nxori përfundim nëse Trump ka bërë përpjekje ose jo për të penguar drejtësinë, transmeton REL.

“Ka shumë njerëz që kanë bërë gjëra shumë, shumë të këqija. Do të thosha gjëra të pandershme kundër vendit tonë”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, por pa përmendur askënd me emër dhe pa përmendur ndonjë veprim specifik.

“Këta njerëz do të vëzhgohen”, tha Trump.

Duke folur në Zyrën Ovale, ai tha se asnjë president tjetër nuk duhet të hetohet për “tregime të rreme”.

“Ka qenë një tregim i rremë, një gjë e tmerrshme, nuk mund të lejojmë që kjo t’i ndodhë ndonjë presidenti tjetër”, tha Trump.

Senatori Lindsey Graham gjatë konferencës për media, lidhur me publikimin e përmbledhjes së raportit të Muellerit.
Senatori Lindsey Graham gjatë konferencës për media, lidhur me publikimin e përmbledhjes së raportit të Muellerit.
Senatori Lindsey Graham, kryetar i Komitetit të Senatit për Drejtësi dhe aleat i Trumpit, u tha gazetarëve se do të kërkojë nga prokurori i përgjithshëm, William Barr, të caktojë një këshilltar të posaçëm për të hetuar nëse zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë bërë gabime në hetimet e tyre.

Mueller ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore të vitit 2016, së bashku me akuzat se anëtarë të fushatës presidenciale të Trumpit dhe të tjerë të lidhur me të kanë bërë konspiracion me Qeverinë e Rusisë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë.

Ofensiva e Trumpit erdhi pasi demokratët i përsëritën thirrjet për prokurorin Barr, që të nxjerrë raportin e plotë të Muellerit në Kongres, deri më 2 prill.

Askush jashtë Departamentit të Drejtësisë nuk e ka parë ende raportin, përfshirë Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti i Drejtësisë nuk tha nëse do ta publikojë raportin e plotë të Muellerit ose jo, por Barr tha se ai do të jetë sa më transparent.

Trump dhe aleatët e tij u dukën të gëzuar pasi Barr tha, në një letër drejtuar Kongresit më 24 mars, se raporti i Muellerit nxjerr në pah se hetimet “nuk kanë konstatuar se anëtarët e fushatës së Trumpit kanë komplotuar ose janë koordinuar me Qeverinë ruse për ndërhyrjen e saj në zgjedhje”.

“Derisa ky raport nuk konstaton se presidenti ka bërë krim, ai po ashtu nuk e shfajëson atë”, tha po ashtu Barr, teksa publikoi përmbledhjen e raportit.

Zyrtarët dhe ligjvënësit rusë e shfrytëzuan përmbledhjen e prokurorit Barr për të përsëritur pretendimet e Moskës se ajo nuk ka ndërhyrë në fushatën presidenciale në SHBA.

Trump tha se i takon prokurorit Barr të vendosë nëse gjetjet e hollësishme nga raporti i Muellerit do të bëhen publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button