Intelektuali dhe nëpunësi

Shkon Intelektuali i ri në një zyrë për një projekt për media. Korridoret janë të zymta disi, me gjithë dritën e neonit që mundohet të derdhë një grimcë gëzimi nëpër to. Prej njërës nga shumë dyert e zyrave del Nëpunësi, të cilit ia kanë dhënë timonin e institucionit. I veshur me tesha të shtrenjta, me një kollare të mëndafshit të rrallë, ai mundohet ta fshehë pamundësinë intelektuale nën setër e nën shkëlqimin e stofit dhe ta mbrojë pozitën që ia kanë falur “për merita”. Qëndron përballë Intelektualit me një buzëqeshje të hidhur, të cilën shkathtësia e Intelektualit e lexon germë për germe dhe e di se është urrejtje ndaj bagazhit të tij dituror. Por ka në këtë buzëqeshje edhe frikë e pasiguri. Mundohet Nëpunësi ta përshëndesë Intelektualin “në nivel”, por nuk harron që duke u larguar të ecë me hapa që duhet të “flasin” për pushtetin që ka. Ai duhet të  japë përshtypje se  është i  rëndësishëm, se është Pushteti vetë. Prapa tij, megjithatë hetohet  një siklet që e ndjek për shkak se iku nga ballafaqimi me Intelektualin. Pastaj Nëpunësi e kthen kokën dhe i tregon zyrën ku duhet të shkojë Intelektuali me projektin për konkurs.
Në zyrë: një tavolinë, karrika e Nëpunësit dhe dy karrika të tjera për palë, për vizitore… Mbi tavolinë Nëpunësi  ka shkruar: do të kthehem për pesë minuta”. Hyn Intelektuali brenda, ulet dhe shikon. Rreth e më rreth zyrës – libra. I jep vetes liri ai, të shohë dhe e zgjat dorën, e merr një. Për habinë e tij, ajo që merr nuk është libër, por një copë dërrase, e vizatuar dhe e stolisur si kopertinë libri, me një titull dhe me emrin e autorit. I tërë “kompleti i librave” është prej dërrase. Copa dërrasash. Intelektuali i lë dhe ulet, ndonëse ndjehet çuditshëm. Keq.

Pesë minutat ikin, ikin edhe pesë të tjera, edhe shumë.  Ngrihet Intelektuali e del. Dhe, me të mbyllur të derës i shfaqet Vetmia që i flet për dyert e mbyllura që i ka ai drejt perspektivës. Ecën korridorit të gjatë Intelektuali, i zhgënjyer. I ri, ai ka qenë i sigurt se do ta presin krahëhapur, pasi studimet i ka kryer jashtë në një universitet me emër. Në të dy anët e korridorit dyert e zyrave janë të hapura. Së andejmi dëgjohen zëra të njerëzve të kënaqur që mblidhen dhe përgojojnë dynjanë duke pirë kafe.  Intelektuali e dëgjon zërin e Nëpunësit i cili tregon një barcaletë për bjondet. Pason një qeshje kolektive deri në gajasje. Pastaj – heshtje. Intelektuali afrohet, i drejtohet Nëpunësit duke i treguar se ka kohë që po e pret, ndërsa Nëpunësi ia kthen se shpejt do të kthehet. Për pesë minuta. Dhe, këto “pesë minuta” ia bënë me dije Intelektualit se Nëpunësi nuk do të kthehet fare në zyrë, prandaj nuk kishte kurrfarë arsyeje që të priste. Një denesje i del spontanisht. Është fryma e parë e protestës që do të ndodhë kur të grumbullohet pezmi te të gjithë të rinjtë. Dhe, del jashtë. Shkon ta gjejë një njeri me të cilin mund të  pihet një kafe dhe të cilit t’ia tregojë vakinë e çuditshme në zyrë. Por rrugët nuk kanë sot njerëz të tillë. Ato jane të mbushura me politikë të lirë, me politikë rruge. S’gjendet një njeri me të cilin do të kishte mundur të flasë për këtë ngushticë shpirtërore me të cilën u ballafaqua, për këtë mospërfillje që e përjetoi, për derën e madhe të vetmisë që iu hap në vendin e vet, të cilin e quajnë Atdhe, me a të madhe. Nuk e pi dot as kafenë. Vazhdon rrugën për në shtëpi. Rrugës mjaft kohë shpenzon nëpër librari. As atje nuk gjen rehati shpirtërore. Libra shqip nuk gjen dot. I tregojnë se një librari e kanë mbyllur ngase nuk ka pasur shitje. Është një tjetër diku më larg. Intelektuali e lë për një ditë tjetër vizitën që duhet t’i bëjë kësaj librarie. Rrugës  mbi një tavolinë të gjatë një shitës rruge ka vendosur plot libra. Intelektuali i ri i shfleton disa. Po librat këtu nuk flisnin me gjuhën e letërsisë, por me gjuhën e frikës.

Intelektuali vazhdon rrugën për në shtëpi.

Rreth tij ushton pasiguria, kurse drita me shpejtësi ia lëshon hapësirën errësirës. Intelektuali e shpejton hapin. “Unë e mora vesh sa është sahati”, tha. “E di, ka njerëz të mirë këtu në atdhe, por ata janë të rraskapitur, të gajasur. Dua atyre dua t’u ndihmoj me shkathtësitë e mia, por në këtë labirint me dyer të mbyllura edhe unë do të bëhem nevojtar si ata të varfrit… Do të shkoj jashtë dhe nga atje shpresoj se do të mund t’i ndihmoj më shumë këtyre njerëzve të mirë. Këtij populli.”

Pastaj u ul në një kafene që i kishte tavolinat në trotuar. Kur iu afrua kamerieri, e pa si po i fshinte sytë me faculetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button