Trump: Prokurori Mueller veproi me ndershmëri në hetimin ndaj Rusisë

Pasi e ironizoi për muaj me radhë Prokurorin Special Robert Mueller lidhur me hetimin për mundësinë e lidhjeve me Rusinë gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, Presidenti Trump tha të hënën se zoti Mueller kishte vepruar në mënyrë të ndershme, duke e nxjerrë atë të pafajshëm ndaj akuzave për bashkëpunim me Moskën.

Udhëheqësi amerikan e pati cilësuar shumë herë hetimin “gjueti shtrigash”, por pas publikimit të një përmbledhjeje të raportit të zotit Mueller, u shpreh se konkluzioni i tij ishte “100 për qind ashtu siç duhej”, shkruan VOA.

Zoti Trump reagoi si fitimtar ditën pasi Prokurori i Përgjithshëm William Barr publikoi përmbledhjen e raportit të zotit Mueller lidhur me hetimin që zgjati për 22 muaj, duke thënë: “Ne nuk mund ta lejojmë t’i ndodhë kjo një tjetër presidenti amerikan.”

Presidenti tha se zyrtarët e zbatimit të ligjit që hapën hetimin para fillimit të hetimit nga zoti Mueller në maj të vitit 2017 bënë “shumë gjëra të këqija”, prandaj ata duhet të mbahen përgjegjës në një hetim të ri. Ai i cilësoi veprimet e këtyre zyrtarëve “tradhëti.”

I ulur në krah të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk komentoi lidhur me mungesën e një vendimi nga zoti Mueller lidhur me çështjen nëse ai ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ndërsa përpiqej të parandalonte zhvillimin e një hetimi. Donald Trump u shpreh se publikimi i raportit të plotë të zotit Mueller “nuk do të më shqetësonte aspak.”

Shtëpia e Bardhë u shpreh të hënën se raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Muller, provon se presidenti Trump është i pafajshëm.Prokurori i Përgjithshëm William Barr publikoi të djelën një letër ku thotë se hetimi i Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës nuk ka zbuluar prova se Presidenti Donald Trump, apo persona të tjerë që punonin për fushatën e zotit Trump kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë. Lidhur me dyshimet e tjera në se Presidenti Trump ka penguar drejtësinë apo jo, raporti i zotit Muler nuk jep një përgjigje të qartë PO ose JO.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se hetimi i gjatë lidhur me kontaktet mes agjentëve rusë e fushatës së zotit Trump shërbeu për të shpaguar presidentin, duke thënë se konkluzionet e raportit e nxjerrin presidentit “tërësisht dhe plotësisht të pafajshëm”.

“Raporti arrin në përfundimin që është e pamundur të dilet me konkluzion. Ky raport iu dorëzua Departamentit të Drejtësisë ku u dha vendimi. Prokurori i Përgjithshëm ndoqi procesin ligjor, duke bashkëpunuar me zëvendës prokurorin e përgjithshëm, i cili ka qenë i përfshirë që në fillimet e këtij procesi dy-vjeçar absurd. Ata dolën me përfundimin se nuk kishte pengim drejtësie. Ky përfundim e nxjerr presidentin krejtësisht të pastër. Nuk di si mund ta shohësh ndryshe,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr nxori të dielën një përmbledhje me katër faqe mbi hetimet që filluan 22 muaj më parë lidhur me akuzat se fushata e Presidentit Trump kishte bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, për të ndikuar tek zgjedhjet në favor të zotit Trump.

Zoti Barr ia dërgoi përmbledhjen Kongresit dhe e publikoi të dielën. Prokurori i Posaçëm Mueller i dorëzoi të premten raportin e tij Departamentit të Drejtësisë.

Sipas zotit Barr, raporti i Prokurorit të Posaçëm Mueller nuk përfshin ndonjë konkluzion se Presidenti Trump pengoi drejtësinë, duke ia lënë Prokurorit të Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij të dalin me përfundimin e tyre.

Megjithëse Prokurori i Përgjithshëm Barr thotë se raporti i zotit Mueller nuk eliminon plotësisht dyshimet mbi presidentin, para se të nisej nga Florida dje, zoti Trump tha se raporti “e nxjerr plotësisht dhe tërësisht të pastër”.

“Nuk kishte bashkëpunim të fshehtë me Rusinë. Nuk kishte pengim të drejtësisë. Nga raporti dal plotëtisht dhe tërësisht i pastër. Është për të ardhur keq që vendi kaloi nëpër këtë proces. Është për të ardhur keq që presidenti kaloi nëpër këtë proces që filloi ende pa u zgjedhur unë dhe që u hap në mënyrë të paligjshme. Shpresoj që dikush të analizojë palën tjetër,” tha presidenti.

Senatori Lindsey Graham, Kryetar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin komentoi në Twitter: “Bravo, zotit Mueller dhe ekipit për analizën e hollësishme të të gjitha gjërave që lidheshin me Rusinë. Tani duhet ta lëmë pas këtë proces, të merremi me qeverisjen e vendit dhe të përgatitemi ta luftojmë Rusinë dhe aktorë të tjerë të huaj në 2020-ën”.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer thonë: “Duke pasur parasysh qëndrimet e njëanshme të zotit Barr gjatë karrierës së tij dhe komentet tendencioze ndaj hetimeve të Prokurorit të Posaçëm, ai nuk përfaqëson një vëzhgues neutral dhe nuk është në pozitë të nxjerrë përfundime objektive për raportin”.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, Jerry Nadler tha se komisioni i tij do të thërrasë zotin Barr për të dëshmuar:

“Është shumë e rëndësishme që Prokurori i Përgjithshëm të bëjë publik raportin e plotë dhe provat që u analizuan për këtë raport. Kongresi dhe populli amerikan duhet të kenë qasje në raportin e plotë dhe dokumentacionin mbështetës. Sa më shumë nga ky informacion të bëhet publik, aq më mirë do të jetë. Unë kam në plan të luftoj për transparencë. Do t’i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të dëshmojë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin. Do të kërkojmë publikimin e raportit”- tha zoti Ndaler.

Shumë nga kandidatët demokratë në zgjedhjet presidenciale, ndër to Kirsten Gillibrand, Cory Booker, Kamala Harris dhe Elizabeth Warren, thanë dje se janë të pakënaqur nga publikimi i një përmbledhjeje të shkurtër, të përgatitur nga personi i zgjedhur nga vetë presidenti si Prokuror i Përgjithshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button