Vendet e CEFTA-s do t’i harmonizojnë certifikatat sanitare dhe fitosanitare

Drejtori i Agjencisë së Maqedonisë së Veriut për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Atanasov, në cilësinë e kryesuesit të Nënkomitetit për Bujqësi në kuadër të CEFTA-s, sot e hapi takimin e tretë të grupit bashkërendues ad-hoc të ekspertëve për shkëmbimin elektronik të të dhënave në fushën e masave sanitare dhe fitosanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Menjëherë pas hapjes së takimit, Atanasov dha një deklaratë për media tha se qëllimi i takimit të sotëm njëditor është harmonizimi i certifikatave sanitare dhe fitosanitare midis vendeve të CEFTA-s.

“Qëllimi i këtij takimi është harmonizimi i certifikatave fitosanitare dhe sanitare me qëllim të lehtësimit të tregtisë midis vendeve të CEFTA-s. Deri më tani, gjendja reale për momentin është se ka vonesa të gjata në kufi, mbivendosje të panevojshme me kërkesat e dokumenteve, kontrollet e panevojshme nga shërbimet e inspektoratit në kufij dhe procedurat mjaft të ndërlikuara për importin dhe eksportin e mallrave nga vendet e CEFTA-s”, tha Atanasov duke shtuar se duke vendosur shkëmbimin elektronik të të dhënave, problemet do të minimizohen dhe tregtia do të lehtësohet.

Ai theksoi se me harmonizimin e certifikatave sanitare dhe fitosanitare do të mundësohet një bashkëpunim i drejtë dhe efikas, do të lehtësohen procedurat për import ose eksport, do të shkurtohet koha e pritjes në kufij dhe do të ulen shpenzimet e kompanive gjatë importit apo eksportit.

Maqedonia e Veriut deri në fund të këtij viti do të jetë kryesuese e Nënkomitetit për Bujqësi në kuadër të CEFTA-s, tha Atanasov, duke shtuar se kjo është një përgjegjësi e madhe për Maqedoninë e Veriut.

“Pres që rezultati përfundimtar gjatë kryesimit të këtij Nënkomiteti për Bujqësi dhe Çështje Sanitare dhe Fitosanitare të ketë rezultate konkrete, gjegjësisht të harmonizohen tashmë certifikatat, të mos ketë dallime por e gjithë kjo të jetë në version elektronik”, tha Atanasov. Ai vuri në dukje se të dhënat që do të shkëmbehen në mënyrë elektronike do të lehtësojnë shumë përpunimin dhe mbledhjen e të dhënave në mënyrë që të bëhet një vlerësim i duhur për rrezikun ndërsa kjo do të thotë se kontrollet do të jenë të targetuara saktë.

Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje tregtare midis vendeve jo-anëtare të Bashkimit Evropian, anëtaret e të cilës janë vende të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button