Vështirë po gjenden mësimdhënës – të gjithë po ikin nga arsimi

Kur zbrazet ndonjë vend punë për mësimdhënës të fizikës apo matematikës në ndonjë shkollë fillore apo të mesme, është shumë vështirë gjendet person me arsim përkatës për të mbajtur mësimin. Prof. Gjorgji Markoski, shef i Institutit të matematikës në Fakultetin e shkencave natyrore-matematikore, për “Meta” thotë se kjo është për shkak se të diplomuarit refuzojnë të punojnë në arsim, përcjell Portalb.mk. 

“Për mësimin e gjuhës maqedonase, s’kam informacion nëse ka problem me mungesën e mësimdhënësve të matematikës, por në gjuhët tjera, kam informacion se ka shumë njerëz të papërshtatshëm të cilët e ligjërojnë këtë lëndë. Për shembull, ekonomistë por edhe elektroinxhinierë ligjërojnë matematikë, ndërsa studentët tanë punojnë nëpër banka ose janë inxhinierë. Tek ne në Institut regjistrohen nga tridhjetë studentë, ndërsa diku nga 17 i kryejnë studimet, pora ata nuk i takojnë të gjithë një gjenerate. Mendoj se problemi qëndron në faktin se ata nuk duan të punojnë në arsim, përgjithësisht për shkak të politikave të këqija, jo aq shumë për shkak të pagës së ulët. Para së gjithash, do të thosha, për shkak të zgjedhjes së keqe të drejtorëve, në praktikë ndodh që mësimdhënësi më i keq të bëhet drejtor. Prandaj ata de-motivohen dhe nuk duan të punojnë si mësimdhënës “- thotë profesor Malkoski.

Ai nuk sheh zgjidhje për problemin, i cili sipas tij është shumë i komplikuar. Zgjidhje për mungesën e stafit adekuat i cili do të edukojë fëmijët tanë nuk kanë edhe në Ministrinë e arsimit dhe shkencës (MASH).

– Ka shumë vite që ballafaqohemi me mungesë të stafit mësimdhënës për matematikë, kimi dhe fizikë. Të rinjtë s’kanë interes të mjaftueshëm për të zgjedhur institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në këto fusha dhe për këtë arsye nuk prodhohet mjaftueshëm staf i cili do të duhej të merr pozitat e stafit që tashmë është angazhuar nëpër shkolla, por që më herët ose më vonë do të pensionohet dhe dikush do të duhet t’i trashëgojë. Zbrazet ndonjë vend i mësimdhënësit në shkollë, por pastaj s’mund të plotësohet, sepse as në Agjencinë për punësim s’ka fare persona të regjistruar me këtë lloj të arsimit, që kërkojnë punë – e pranojnë në MASH.

 Në pyetjen, çfarë bëjnë ata për të ndryshuar gjendjen, ata përgjigjen:

– Po përpiqemi të stimulojmë të rinjtë për të zgjedhur këto fusha. Kjo kërkon ngritjen e motivimit, interesit dhe dëshirës personale. Dhe kjo arrihet duke e modernizuar mësimin e këtyre, por edhe të të gjitha lëndëve tjera, në arsimin fillor dhe të mesëm. Prandaj jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar përmbajtjen e kurrikulës, për të përmirësuar përmbajtjen e teksteve shkollore, trajnimin e mësimdhënësve për kreativitet më të madh gjatë ligjërimit të materies për të intriguar të rinjtë, japim shpërblime në të holla për fitim të vendeve të larta (nga vendi i parë deri te i treti) në gara ndërkombëtare në matematikë dhe shkenca natyrore (kimi, fizikë dhe biologji), shpërblime në të holla për medalje në olimpiada shkencore ndërkombëtare, duke përfshirë ato për matematikë, fizikë, kimi, po planifikohet edhe hapja e gjimnazit të specializuar matematikor e kështu me radhë. MASH ka tre vite që filluar me dhënie të bursave për studentë të cilët janë regjistruar ose do të regjistrohen në programet studimore të matematikës, fizikës dhe kimisë e të cilët do të arrijnë notë mesatare të paktën 7.00 gjatë arsimimit të mëparshëm në institucionin përkatës të arsimit të lartë. Kuota vjetore është 105 bursa dhe shfrytëzimi është i lartë, gjegjësisht pothuajse është aq sa është kuota – informojnë nga MASH.

Këto janë, sqarojnë ata, bursat më të larta që MASH i ndan për të studiuar në institucionet vendore të arsimit të lartë dhe arrijnë në 300 euro në muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button