Trump shfajësohet nga akuzat për komplot me Rusinë në zgjedhje

Këshilltari Special Robert Mueller nuk gjeti prova se fushata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka komplotuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, tha prokurori i përgjithshëm William Barr në një letër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Barr i dorëzoi Kongresit përfundimet e tij kryesore të hetimit pothuajse dyvjeçar të Mueller në lidhje me akuzat se Trump ishte koordinuar me Kremlinin për të ndikuar në zgjedhje.

“Këshilli Special nuk gjeti prova se fushata e Trumpit, apo dikush tjetër që ka lidhje me të, ka komplotuar ose është koordinuar me qeverinë ruse në këto përpjekje, pavarësisht ofertave të shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar fushatën e Trumpit”, tha Barr në letër.

Të premten, Mueller përfundoi raportin e tij lidhur me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe bashkëpunimin e mundshëm me fushatën e Trumpit për një përpjekje të tillë.

Lidhur me çështjen e obstruksioneve në drejtësi, letra shkruan se “Ndërsa raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer një krim, ai gjithashtu nuk e shfajëson atë”.

Barr tha se ai dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin përfunduar nga gjetjet e Muellerit se “provat e zhvilluara gjatë hetimit të Këshillit Special nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një vepër të obstruksioneve në drejtësi”.

Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur bashkëpunimin me një përpjekje ruse për të cilën agjencitë amerikane të zbulimit kishin thënë se kanë ulur shanset e kandidates demokrate Hillary Clinton për të fituar postin në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.

Mueller ka tërhequr vëmendjen e opinionit gjatë hetimit të tij, që gjatë rrjedhës së tij ka rezultuar me ngritjen e aktakuzave gjithëpërfshirëse për zyrtarët e lartë të fushatës së Trumpit.

Në tërësi, pesë persona me lidhje të ngushta me fushatën janë shpallur fajtorë nga akuzat e ngritura nga Mueller, përfshirë edhe ish-kryetarin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort, zëvendësin e tij Rick Gates, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn, këshilltarin e fushatës George Papadopoulos dhe avokatin Michael Cohen.

Megjithatë, asnjë zyrtar i lidhur me Trumpin nuk është fajësuar me akuza lidhur me përpjekjet e ndikimit rus.

Në deklaratën e tij të parë për gazetarët mbi përmbledhjen e avokatit të përgjithshëm, Trump tha: “Është një turp që vendi ynë duhet të kalojë përmes kësaj. Të jemi të sinqertë, është një turp që presidenti juaj duhet ta kalojë këtë”.

“Ky ishte një hap i paligjshëm që dështoi…Pra, është shfajësim i plotë. Nuk ka bashkëpunim, asnjë obstruksion”, tha Trump në një prononcim për gazetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button