Mbreti jordanez anuloi vizitën në Rumani për shkak të Jerusalemit

Mbreti Abdullah i Jordanisë anuloi vizitën në Rumani, në shenjë proteste ndaj planeve të kryeministres Viorica Dancila për të zhvendosur ambasadën e vendit të saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Pallati Mbretëror i Jordanisë tha se vendimi për të anuluar vizitën e paraparë për 25 mars u mor “në shenjë solidariteti me Jerusalemin”, transmeton REL.

Ka qenë e paraparë që Abdullah të takonte presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, dhe udhëheqësit parlamentarë, si dhe të nënshkruante një numër marrëveshjesh për bashkëpunim.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit dhe e kanë zhvendosur ambasadën e tyre atje nga Tel Avivi, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare dhe zemërim te palestinezët.

Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e ka shpallur gjithë qytetin kryeqytet të tij, por ky veprim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjatë vizitës në Uashington më 24 mars, Dancila tha se Rumania do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem dhe e quajti atë “kryeqytet të shtetit të Izraelit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button