Sergio Ramos mbetet lideri i Spanjës

Sergio Ramos vazhdon të jetë një lojtar vendimtar tek Spanja. Kapiteni shënoi edhe ndaj Norvegjisë, siç ka bërë edhe më parë, ndonëse është një mbrojtës, transmeton ABC News.

Jo më kot i kanë dhënë shiritin. Sergio Ramos i priti si zot shtëpie lojtarët e kombëtares, ndërsa Spanja u grumbullua për ndeshjen eleminatore të Europianit ndaj Norvegjisë. Siç i takon një kapiteni, ai i uroi secilit mirëseardhjen, një ritual që e bën me durim, i ndërgjegjshëm se ashtu duhet.

Më tej, ai  u shpreh se “jam shumë i lumtur që kthehem sërish në kombëtare, është gjithnjë kënaqësi të jesh këtu, dhe ne duam që të vazhdojmë të fitojmë”. Dëshira iu realizua ndonëse me shumë vështirësi. Spanjollët kaluan në avantazh në stadiumin e Valencias, me anë të Rodrigo Morenos, por skandinavët barazuan në pjesën e dytë.

Spanja e trajnerit Luis Enrike sot nuk ka një numër 9 si David Villa, Fernando Torres apo Diego Costa, por të paktën ka dikë që shënon gola vendimtarë.

Kush tjetër përveçse kapitenit. Ramos ekzekutoi saktë një 11-metërsh, kur kishin mbetur vetëm 20 minuta lojë, dhe sërish me stilin e tij të njohur, “si Panenka”. Kjo metodë, e krijuar për herë të parë nga çekosllovaku Antonin Panenka në finalen e Europianit 43 vjet më parë, është kthyer në një markë “Sergio Ramos”.

Qendërmbrojtësi 33-vjeçar ka shënuar disa herë kështu, qoftë me fanelën e Realit, qoftë me atë të kombëtares. Padyshim, klasi dhe karakteri i tij ishin faktorë të rëndësishëm që Spanja u shpall kampione e Europës dy herë si dhe kampione e botës.

Po ashtu, ai ndihmoi Realin në momentet më vendimtare, duke shënuar në finalet e Ligave të Kampionëve, të fituara nga madrilenët. Trajneri i përfaqësueses spanjolle, Luis Enrike, nuk ngurroi ta vlerësonte lart numrin 4, edhe pse dikur kanë qenë kundërshtarë në La Liga.

“Sergio Ramosi është një lojtar unik në histori, – theksoi ish-trajneri i Barcelonës, – shumë rrallë vijnë futbolistë të tillë, me një ndikim kaq të madh në skuadër. Më vjen mirë për të, dhe për ekipin, pasi fitorja ishte e drejtë”.

Përveç penalltive, specialiteti i Ramosit janë edhe goditjet e dënimit, ndonëse më të pakta. Për momentin, ai është shënuesi më i mirë i kombëtares me 18 gola, ndaj 13 të Alvaro Moratës, por gjithsesi, vështirë se mund ta mbërrijë ish-kapitenin Fernando Hierro.

Ish-mbrojtësi i qendrës i Realit shënoi 28 herë me fanelën spanjolle, duke luajtur shumë më pak ndeshje. Në total, Ramosi ka 107 rrjeta në karrierë, me Spanjën, Seviljen dhe Realin, por sërish mbetet prapa legjendave si Bekenbauer, Roberto Karlos, Brajtner, Blank, Hierro, Pasarela apo Ronald Koeman.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button