Duka: Shkarkimi i Panuccit ishte domosdoshmëri, pas Andorrës mendojmë për trajnerin e ri

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka ka folur rreth shkarkimit të Christian Panuccit.

Tekniku italian u largua nga Kombëtarja shqiptare pasi nuk arriti të merrte rezultatet e dëshiruara.

Ka qenë presidenti i FSHF-së, Armand Duka që ka thënë se shkarkimi i tij ishte i domosdoshëm, transmeton Telegrafi.

“Prisnim që të kishte një energji ndryshe skuadra, një paraqitje ndryshe në ndeshjen e parë kualifikuese. Kjo është një arsye pse menduan që edhe pas paraqitjes jo shumë të suksesshme në Nation League të vazhdonim me Panuccin, sepse do të ndryshonte diçka në skuadër. U pa një skuadër pothuajse inekzistente, që na çoi në një vendimmarrje të detyrueshme. Dhe ai që duhej ndryshuar ishte pikërisht trajneri”, ka thënë Duka për Supersport.

Kreu u qeverisë së futbollit shqiptar shpërndan përgjegjësitë, duke ngarkuar edhe veten me “faj” për përzgjedhjen e bërë.

“Të gjithë në njëfarë mënyre jemi përgjegjës, qoftë dhe unë që kam emëruar Panuccin, qoftë skuadra, që duhej të demonstronte diçka më shumë në fushë. Besoj se edhe vetë Panucci do të dëshironte të bënte më shumë. Ishte eksperienca e tij e parë si trajner i një përfaqësueseje, por nuk arriti, nuk arriti të merrte maksimumin nga skuadra”.

“E ndërpremë këtë marrëdhënie për të menduar më shumë pë të ardhmen dhe do të mendojmë më gjatë për ndeshjet e qershorit. Stafi ka kohë për ta përgatitur skuadrën. Në qershor do të kemi mundësi për ta grumbulluar skuadrën rreth dy-tre javë”.

Në fund Duka shpjegoi edhe takimin me Edi Rejan, por nuk zbuloi nëse italiani është kandidat për të marrë drejtimin e kuqezinjve.

“Edi Rejan e kam takuar në stadium pas ndeshjes, kishte ardhur për punët e tij, për të vëzhguar disa futbollistë. Nuk di ta them tanët apo të Turqisë. Nuk kam menduar asgjë se kush do të jetë trajner i Shqipërisë. Pas ndeshjes me Andorrën do të mendojmë për teknikun që i duhet skuadrës. Nuk është një gjë e lehtë”, përfundoi numri një i FSHF-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button