A do të punojë Zona e Lirë ekonomike e Tetovës?

Shteti deri më tani ka investuar 300 milionë euro ndërsa ka sjellë investime prej 200 milionë euro. A do të punojë Zona e Lirë e Tetovës?
Një muaj afër vendimit për fatin e Zonës së Lirë të Tetovës, Portalb shpalos atë se më 28 shtator mbyllet tenderi për dhënien nën koncesion të kësaj zone të vetme të lirë në rajonin e Tetovës. A do të gjendet koncesioner?
Pikërisht nga epilogu do të varet nëse dhe si do të menaxhojë Qeveria më tutje këtë zonë teknologjike e cila u promovua si gjenerator për zhvillim në këtë rajon me popullatë të dominuar me shqiptarë. Në zonën e Tetovës tani për tani është ndërtuar vetëm një pjesë e bulevardit dhe kanalizimi atmosferik.

“Momentalisht në zgjerimin e TIRZ Tetovë është ndërtuar shtresa e poshtme e bulevardit në gjatësi prej 1.251 metra, si dhe kanalizim atmosferik në zonën e gjelbërt të bulevardit në gjatësi prej 1.200 metrave. Dinamika e mëtejshme për ndërtimin e infrastrukturës në zonë do të varet nga epilogu i procedurës për partneritet publik-privat, gjegjësisht zgjedhjen e partneritetit afarist. Në përgjithësi ekziston interesim për të hyrë në zonë, por për interesim më konkret do të mund të bisedohet pas përfundimit të procedurës”, theksojnë për Portalb nga Drejtoria për Zona të Lira Ekonomike. 

Ja se çka u planifikua për Zonën ekonomike në Tetovë, themelet e së cilës u vunë në qershor të vitit 2010: ndërtim i plotë i infrastrukturës në harxhim në shtetit, hyrje të 30 kompanive – investitorëve dhe punësimin e 7.000 njerëzve. Projekti është ngatërruar në gjurmimin e partnerit qeveritar për menaxhim të zonës. Edhe përkundër asaj se koncepti i zonës së lirë padogana u promovua në mënyrë të bujshme, si model i cili seriozisht do ta ngre ekonominë, do të sigurojë investime, punësime dhe teknologji të re, efektet shumë ngadale po dalin në shesh. Sipas të dhënave, nga 11 zonat e para të paralajmëruara ekonomike, momentalisht në aspektin formal-juridik janë themeluar 8 zona. Por, vetëm tre prej tyre janë operative, që do të thotë se puna e 5 zonave tjera janë në fazë të ndërtimit. Vetëm zonat ekonomike Bunarxhik 1 dhe Bunarxhik 2, si dhe zona në Shtip kanë investitorë.

Zonat e ndërtuara:
Bunarxhik 1
Bunarxhik 2
Shtip
Në rrjedhë të ndërtimit:
Tetovë
Strugë
Prilep
Gjevgjeli
Rankovc
Kërçovë

Në këmbënguljen e Qeverisë për të promovuar këtë koncept, që tërheq para buxhetore për infrastrukturë por edhe për benificione financiare për investitorët, opozita por edhe opinioni i ekspertëve sheh populizëm dhe mungesë të efekteve serioze. Derisa zona e Tetovës rri bosh, para dhjetë ditëve morën lopatat për zonë të re në Kërçovë. “Me këtë hap mbulohen shumë pjesë rajonale të shtetit tonë të cilat janë në afërsi të qyteteve më të mëdha. Me ndërtimin e këtyre zonave në masë të madhe do të rriten edhe mundësitë e disperzuara të cilat si shtet ua ofrojmë investitorëve”, deklaroi atëbotë kryeministri Gruevski. 

A do ta përjetojë zona e Kërçovës fatin e asaj të Tetovës, në pamundësi që vet të menaxhohet, apo Qeveria të kërkojë partner? Nga Drejtoria për Zona të lira theksojnë se realizimi i zonës së Kërçovës është planifikuar në dy faza, faza e parë do të thotë ndërtimi i infrastrukturës. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, deri më tani për ndërtimin e zonave janë harxhuar 300 milionë euro, prej të cilave pjesa më e madhe përfunduan për zonat ekonomike të Shkupit. Por cilat janë dhe sa janë efektet e ndërtimit të zonave, duke marrë parasysh atë se përskaj fushatës agresive, tani punojnë vetëm tre.

“Momentalisht në tre zona ekonomike janë të pranishëm Xhonson Kontrolls – Maqedoni, Xhonson Kontrolls – Shtip, Xhonson meti, Kemet Elektroniks, Teknohoze, Protekt Grup, Van Hol, Madrasan Grup dhe Fiber, dhe të gjitha këto së bashku sjellin investime prej 200 milionë euro prej të cilave 140 milionë euro deri më tani janë realizuar. Momentalisht në fabrika punojnë 1.150 persona”, theksojnë për Portalb nga Drejtoria për zona të lira. Presin që numri i të punësuarve të rritet në 3.500. Të dhënat tregojnë se eksporti i TIRZ Shkup 1 vitin e kaluar ishte 16.3 për qind e eksportit të përgjithshëm të vendit. Atë që potencon bashkësia afariste është edhe sjellja diskriminuese e pushtetit ndaj investitorëve sepse me vendimet e tanishme ligjore, zonat janë të hapura për kapitalin e huaj, por jo edhe për atë vendor. 

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e  Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button