Për drunjtë dhe palmat e thara, Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet në lidhje me zbulimin e keqpërdorimeve eventuale për tharjen e palmave të mbjella në Shkup dhe gjithandej Maqedonisë, por edhe për keqpërdorimet eventuale në projektin “Dita e Drurit – Mbille ardhmërinë”, njofton Portalb.mk.

Prokuroria për asnjërën nga këto dy projekte nuk ka arritur që t’i identifikojë përgjegjësit që i harxhuan paratë e qytetarëve në mënyrë jo të përgjegjshme duke kryer punë jo-efikase dhe jo-efektive.

Nga Prokuroria për rastin me “Ditën e Drurit”, thonë se nuk ka arritur kurrëfarë njoftimi deri tek ata.

“Deri te Prokuroria, deri në këtë moment nuk ka arritur kurrëfarë paraqitje për këtë rast”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Por, megjithatë Prokuroria mund të hapë edhe me vetiniciativë.

Prej 138 palmave që u mbollën para 2 viteve në disa lokacione në Shkup,  vetëm 18 kanë mbijetuar. Pushteti i VMRO-DPMNE-së asokohe kishte harxhuar 500.000 euro për blerjen e 1.100 fidanëve të palmave, të cilat u mbollën në mbarë Maqedoninë. Megjithatë, për harxhimin e parave nuk ka përgjegjësi, edhe pse që nga janari i këtij viti, kjo lëndë është në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të cilët asokohe thanë se i kanë mbledhur të gjitha dëshmitë.

Rastin në Prokurori e paraqiti një pensionist M.B., i cili ngriti iniciativë për konstatimin e përgjegjësisë për harxhimin e pandërgjegjshëm të parave shtetërore. Ai vlerësoi se është e papërgjegjshme që të hidhen poshtë gjysmë milionë euro për palmat të cilat nuk do të mund të mbijetojnë në të ftohtin e Shkupit. Ashtu siç tha pensionisti, ashtu u bë – palmat për të cilat u tha se mund të mbijetojnë në temperatura deri në minus 15 gradë, u thanë në të ftohtin prej minus 20 gradësh, që në dimrin e parë e kaploi qytetin.

Prokuroria i ka dhënë të drejtë pensionistit për dyshimet e tij dhe shpejtë ka konstatuar se ekzistojnë “dyshime të bazuara për vepër penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353 paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal”. Por, prej atëherë dhe deri më tani, nuk është vepruar për të njëjtën. Në ndërkohë, edhe pak ato palmat që kanë ngelur, janë tharë dhe të njëjtat po mbarojnë në deponitë e qytetit.

Rast i njëjtë për papërgjegjësi të parave të harxhuara është edhe projekti “Dita e Drurit” për të cilin janë harxhuar 17.8 milionë euro për drunjtë e mbjella, të cilët sipas raportit të analizës së Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Pyjet e Maqedonisë – Shkup (Pyjet e Maqedonisë), kanë mbijetuar vetëm 21 për qind prej tyre.

Qeveria e Maqedonisë që nga shkurti e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar informatën për të kuptuar se si janë harxhuar paratë, Prokuroria Themelore Publike thotë se nuk kanë hapur procedurë hetimi për shkak se nuk kanë material, dhe se ajo nuk mund të hapet nëpërmjet asaj çfarë dëgjohet në opinion, Pyjet e Maqedonisë arsyetohen se nuk kanë qenë të obliguar të dorëzojnë materiale për hetim në Prokurori, një është e qartë – ata që harxhuan paratë e qytetarëve në mënyrë jo-efikase dhe jo-efektive nuk kanë dhënë përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button