Gojët e mbyllura i mbyllin çështjet e hapura

Duke shikuar përtej të dukshmes dhe duke lexuar në mes të rreshtave, mund lirisht të konstatojmë se njeriu për të shpetuar lëkurën e vet dhe të shokëve dhe familjarëve të afërt ështe në gjendje të bëjë gjithçka. Politika jo gjithmone funkcionon ashtu siç duket në shikim të pare, sepse siç thuhet shikimi i parë mund edhe të na mashtrojë. Mashtrimi dhe iluzioni ështe zakonisht i fshehur pas të tejdukshmes dhe për të kuptuar përtej saj, nuk duhet përdorur vetëm syte por edhe logjikën e arsyes për ate se pse gjërat ndodhin ashtu siç ndodhin. Shkaku dhe pasoja janë ne raport ngushtë të lidhur por nuk shihen njëkohësisht, dhe prandaj me sy mund t’i shohim pasojat, por i harrojmë shkaqet që i kanë shkaktuar këto pasoja.

Në fakt, nuk është rastësi se, përse njerëzit e mbyllin gojën atehere kur është momenti më i nevojshëm të flasin, si për nga profesioni që ushtrojne ashtu dhe nga posti dhe funkcioni që mbajnë në shoqëri dhe në administratën shteterore. Deri diku mund të kuptohet përse intelektualët heshtin atëherë kur duhet më së shumti të flasin, sepse fundja kjo është një punë e tyre plotësuese dhe vullnetare për të cilën ata edhe nuk janë të paguar, por nuk mund të kuptohet aspak pse funkcionarët politikë që janë fundja të paguar mu për këtë pune, dhe me këto paga i mbajnë edhe familjet e tyre nga profesioni i tyre i politikanit profesionist.

Politika është zakonisht shumë aktive dhe entuziaste në shfrytëzimin e të gjitha privilegjeve që ua ofron posti, duke mos kursyer asnjë lek dhe beneficion që vjen nga buxheti i shtetit, por kur vjen puna tek dhënia e përgjegjësisë për punën e kryer, këtu ngecin punët. Gjithmonë është një kënaqësi shumë e madhe të ndash tenderat dhe koncesionet ndërmjet veti, duke i neglizhuar me këtë rast, edhe rregullat ligjore dhe procedurat e parapara për dhënien dhe shfrytëzimin e tyre. Si duket një forcë e padukshme politike sikur i lejon funkcionarët shqiptarë të shijojnë deri në pakufi, pa asnjë kontroll dhe pengesë benefitet e këtilla. Duket se ata janë të nxitur dhe të lejuar të zhyten deri në fyt me frytet politike të tejkalimit të kompetencave ligjore dhe të këqpërdorimit të detyrës së tyre zyrtare.

Por kjo në fund e ka një kosto të madhe. Çmimi më i madh që duhet paguar në fund për të shpëtuar veten nga llogaridhënia dhe përgjegjësia ligjore nëpër procedura gjyqësore penale dhe civile apo administrative për rikthimin e mundshëm të favoreve të pushtetit që rezultuan nga babëzia dhe sypangopësia e bartësve të pushtetit, ose ne rastin e tyre më të mirë, me kompensimin e tyre me mbylljen e gojës së artikulimit të interesave politikë të zgjedhësve të tyre, dhe mundësisht me mbylljen e çështjeve të hapura nacionale dhe ‘varrosjen politike” të idealeve që i sollën në karriket e pushtetit.

Kjo ka ndodhur pak a shumë me të gjitha partitë politike shqiptare, të cilat në fillim u formuan për interes të përgjithshëm dhe pastaj përfunduan me kënaqjen e interesave personale dhe grupore të funkcionarëve të tyre kryesorë. Por kjo fatkeqësisht po ndodh në një situatë te paskonfliktit të armatosur me kushtetutetë të ndryshuar, falë marrëveshjes paraprake paqësore të a.q. kornizë të Ohrit.

Si rrjedhojë, u tejkaluan afatet per implementimin e saj pikërisht nga ata që thonë se janë më meritorët e kësaj marreveshje, falë ekzaltimit dhe dehjes psiqike të bartësve të tyre nga “parajsa e rrejshme e pushtetit”, që pastaj të harronin zotimet dhe premtimet ndaj atyre që ua dhëne besimin që t’i përfaqësonin. Rrugës u harruan apo i zgjidhën në mënyrë gjysmake çeshtjet e hapura nacionale që ishin edhe shkaku i konfliktit, dhe u lanë pasdore shokeë dhe bashkëudhëtaret që mbeten prapa jo me fajin e tyre, duke risocializuar vetëm një grup më të afërt të bashkëluftëtareve, por pa siguruar pensione invalidore apo familjare për pjesën tjetër të bashkëluftëtareve, pastaj duke e implementuar në mënyrë gjysmake çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat apo proporcional në administratën shtetërore dhe publike, ku edhe ata vetë pranojnë se nuk është arritur përqindja e nevojshme e 25% por pothujase gjysma e saj, dhe te mos flasim fare për përfaqësimin e drejtë në zinxhirin e komandës gjegjësisht eprorëve të tyre.

Në gjysmë të rrugës ka mbetur edhe çështja e zyrtaritetit te barabartë të gjuhëve nacionale të popujve shumicë në vend, e simboleve shtetërore, si dhe çështja e decentralizimit të pushtetit dhe financimit te komunave, pasi që ata nuk kanë as nga afër mjete te mjaftueshme tatimore buxhetore për financimin e nevojave imediate që rrjedhin nga kompetencat e pushtetit lokal, por më shume janë të varura nga vullneti politik i pushtetit qendror, dhe kjo nuk është e rastit por është pasojë e mungesës së vigjilencës politike të pushtetarëve shqiptarë me rastin e sjelljes së ligjeve sidomos me votim të dyfishte te a.q. të Badinterit, të cilin më shumë e shfrytëzon dhe keqpërdor politikisht pala maqedonase në nivel lokal, se sa që e shfrytëzojmë ne që ishim shkaktarët e ekzistencës së tij, si rrjedhojë e fenomenit të mbivotimit të zakonshëm nga bashkësia me e madhe etnike në vend.

Votimi me koncenzus gjate sjelljes së vendimeve në qeveri as që ekziston dhe as që shqetësohet dikush për këtë, por koncenzusi më shumë përdoret si arsyetim për shtyrjen dhe shmangien e obligimeve, se për zgjidhjen dhe mbylljen e çështjeve të hapura nacionale në vend, në menyr ëqë definitivisht gjoja të fillojmë të merremi me çështjet e standardit ekonomik dhe të standardeve të tjera të sistemit arsimor, shëndetësor dhe gjyqësor, sistemit të sigurisë sociale, dhe të ngjashme.

Që ironia të jetë më e madhe, pikërisht nga pala shqiptare vijojnë tendenca për mbylljen definitive të këtyre çështjeve duke pretenduar se tani është koha t’u qasemi çësthjeve më madhore ekonomike, kështu që karta dhe aduti kryesor i prevalencës politike shqiptare kundrejt palës tjetër, ajo e Marrëveshjes se Ohrit, tentohet të futet në sirtaret e historisë si gjoja çështje e mbyllur, nga ata vetë që thonë se janë me meritorët e saj, dhe askush nuk skuqet të mbaje llogari për implementimin e saj gjysmak të deritashëm.

Aq shumë vallë janë të detyruar pushtetarët shqiptarë ta mbyllin gojën nga frika e ndjekjes penale, sa që janë të gatshem të mbyllin të gjitha çështjet e hapura, vetëm dhe veteë të sigurojnë ndërprerjen e procedurave penale dhe amnestimin e tyre nga gjynahet dhe mëkatet personale. Prandaj vallë heshtin dhe i japin votat bllanko për presidentin, dhe për shuarjen apo kufizimin e kompetencave të prokurorisë publike speciale?!

Pas kësaj çka do të kenë vallë tjetër për të shitur që ta mbajnë gojën mbyllur, apo pason edhe shkrirja e tyre nëpër fillimisht koalicione ndëretnike që pastaj të perfundojëe edhe në parti moniste të tipit komunist, ku shqiptarët kishin nevojë vetëm për një “mik” në palën tjetër që të siguronin të drejtat e tyre elementare qytetare?! Vallë ky eshte çmimi i heshtjes së tyre, apo qytetaria shqiptare më në fund do të ngritet më këmbë që t’i nxjerrë jashtë pushtetit këta shurdhmemeca politikë, sa nuk është bërë vone, edhepse doreë në zemeë, është pak si vonë edhe për këtë!

Ku ta dijmë, koha do ta tregoje cili eshte çmimi që duhet paguar nga të gjithe në, pak edhe me fajin e heshtjes tonë…!

Autor: Dervish Alimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button