Gjenerali amerikan e quan marrëveshjen S-400 të Turqisë “një çështje të vështirë”

Gjenerali amerikan Joseph Dunford e ka quajtur “çështje të vështirë” planin e Turqisë për të siguruar sistemin rus S-400 për mbrojtje raketore, duke theksuar se aleanca e Washingtonit me Ankaranë është diçka që ai dëshiron ta siguroj në afat më të gjatë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Çështja e S-400 është një çështje e vështirë dhe ne po kalojmë në një kohë të vështirë”, tha gjenerali Joseph Dunford, kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve, gjatë fjalimit të tij në Këshillin Atlantik.

“Unë mendoj se edhe dega e ekzekutivit, edhe ajo e legjislativit, do ta kenë të vështirë të pajtohen me prezencën e sistemit S-400 dhe avionëve më të avancuar luftarak që i kemi, F-35. Kështu që pozicioni ynë i është thënë qartë Turqisë dhe ne shpresojmë që do të gjejmë një rrugëdalje nga kjo. Mirëpo, kjo është çështje e vështirë”, tha Dunford.

Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të, Ankaraja në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin mbrojtës rus S-400.

Ankaraja gjithashtu planifikon të blejë 100 avionë luftarak F-35 nga SHBA-të dhe pilotët turq aktualisht po trajnohen në platformën e armëve në Luke Air Force Base në Arizona të SHBA-ve.

Kompani turke furnizojnë programin F-35 me përbërës kyç, duke përfshirë edhe trupin e avionëve për pjesën e mesme të trupit, që është pjesa më e ndërlikuar.

Washingtoni ka paralajmëruar se sistemi S-400 mund fshehtas të zbuloj informacione kritike mbi avionët e avancuar luftarak, duke përfshirë edhe zonën e zbulimit, që më pas mund të dorëzohet në Rusi.

“Turqia është aleat dhe atë shumë i rëndësishëm dhe ne kemi më shumë sfera të përbashkëta se sa dallime. Nëse shikojmë pesë apo dhjetë vjet në të ardhmen, unë dëshiroj të sigurohem plotësisht se aleatët turq janë afër nesh”, tha Dunford.

Ai theksoi se ka punuar shumë për të ndërtuar këtë marrëdhënie, deri në pikën që, siç u shpreh Dunford, që nga koha që është kryetar i shtabit ka pasur 12 vizita në Turqi.

“Nuk besoj se kam qenë në cilindo qoftë vend tjetër as përafërsisht aq shpesh”, u shpreh Dunford.

Turqia iu bashkua NATO-s në vitin 1952, duke u bërë aleat ushtarak i SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button