Pop-muzika, gjithnjë e më depresive

Gjatë 50 viteve të fundit pop-muzika është bërë gjithnjë e më depresive, më e dhimbshme dhe më melankolike, tregon një studim i sapo botuar.

Pak kohë pas zbulimit të shkencëtarëve se muzika moderne është shumë më e zhurmshme dhe më monotone sesa para 50 viteve, një studim i botuar në revistën ‘Psychology Of Aesthetics, Creativity, And The Arts’ nënvizon se këngët e popullarizuara janë gjithnjë e më të dhimbshme e më melankolike.

Studimi ka analizuar tempot dhe meloditë e 1010 këngëve më të popullarizuara mes viteve 1965-2009, të cilat ishin pjesë e top-listës së 40 këngëve të revistës ‘Billboard’.

Autorët e studimit, Glenn Schellenberg dhe Christian von Scheve, pohojnë se këngët “e hareshme” zakonisht kanë një tempo më të shpejtë dhe tinguj më të lartë, përderisa ato “të dhimbshmet” janë më të ngadalta dhe me tone më të thella. Sipas autorëve, numri i këngëve “të dhimbshme” është dyfishuar gjatë 50 viteve të fundit, ndërkohë që ato e arritën kulmin në vitet e 90’a.

Veç kësaj, këngët janë gjithnjë e më të gjata, dhe ato kryesisht interpretohen nga femrat. Si një prej shkaqeve të kësaj dukurie, autorët e përmendin dëshirën e blerësve për të treguar se kanë një shije të sofistikuar, kështu që këngët e tipit “Waterloo”, të grupit Abba, sot cilësohen si “demode, naive dhe si këngë për fëmijë”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button