Rikthim në agjendë

Pas takimit të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim në Bruksel, Mogerini, Han dhe Zaev mbajtën konferencë të përbashkët shtypi ku u përcollën mesazhe të rëndësishme. Mogerini përshëndeti energjinë e qeverisë sonë në të gjitha proceset dhe posaçërisht në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Ajo e quajti këtë një inspirim të vërtetë. Poashtu bëri me dije që marrja e datës për fillim të negociatave për aderim në UE është qëllim i përbashkët i qeverisë dhe qytetarëve të RMV dhe premtoi përkrahje të plotë në arritjen e këtij qëllimi. Han shtoi se në interes të hapjes së negociatave për aderim është që proceset politike në vend të jenë inkluzive dhe të gjitha subjektet politike të marrin pjesë në to dhe të mos mundohen ti dëmtojnë proceset politike duke mos marrë pjesë në to. Ai poashtu tha që ka progres në realizimin e reformave por ftoi që të mos  ketë ngecje por përkundrazi, të punohet sa më shumë në mënyrë të të realizohen reformat jo vetëm me shkruarjen e ligjeve që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, administratën publike dhe shërbimet sekrete, por njëherit të punohet edhe në ndryshim të mentalitetit të gjertanishëm sa i përket këtyre sektorëve. Zaev përforcoi besimin se reformat do të vazhdojnë me përkushtim të plotë në këtë drejtim.

Nga këto deklarata mund të vërejmë disa gjëra. Procesi i stabilizimit politik të vendit përmes nënshkrimit të dy marrëveshjeve esencialisht të rëndësishme me Bullgarinë dhe Greqinë, ka hapur perspektiva të reja për Maqedoninë e Veriut. Këtë shprehimisht e potencoi edhe Mogerini duke njohur dhe përshëndetur thellësisht këtë proces të rëndësishëm dhe të vështirë për t’u udhëhequr. Nuk është e rastit që ajo këtë e quajti inspirim për të gjitha vendet tjera në rajon por edhe inspirim për UE-në.

Stabilizimi poetik i vendit nënkupton  që tani rruga është e hapur për t’u koncentruar tërësisht në reformat që dalin si prioritetet nga Raportet e Pribesë, dhe veçanërisht në reformat në gjyqësor. Është shumë me rëndësi që tani sundimi i së drejtës kthehet sërish në skenë dhe bëhet kriteri bazë i vlerësimit të mëtejshëm të vedit. Kjo do të thotë që do të ketë gjithnjë e më pak vend për kompromise në këtë drejtim, ndërsa vendosja e përgjegjësisë penale do të jetë esenciale për ecjen përpara në procesin e integrimeve.

Në këtë drejtim, vendosja e drejtësisë në rastet kryesore penale do të jetë njëri ndër kriteret që do të vërtetojnë si zbatohet sundimi i ligjit në këtë vend. Vendimi gjyqësor për rastin e 27 prillit arriti që të vendosë përgjegjësi penale për këtë rast eklatant të sulmit ndaj rrëndit kushtetues, edhe pse bartja e përgjegjësisë së plotë penale aty nuk ishte e plotë si pasojë e Ligjit për Amnesti që u soll paraprakisht. Por poashtu, duhet pasur parasysh që ky rast ende nuk ka përfunduar sepse në procedurë hetimore ndodhen organizatorët kryesorë të tij. Po qe se prokuroria do të arrijë që të dëshmojë që ata pesë veta e ndoshta edhe të tjerë kanë marrë pjesë direkte në organizimin dhe orkestrimin e asaj ngjarjeje dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi, atëherë ky vërtet do të jetë rasti i parë ku përgjegjësi për terrorizëm do të mbajë ish kreu më i lartë shtetëror.

Mbetet të shihet si do të ndokojnë tek raporti i progresit që përgatitet nga Komisioni Evropian lëshimet kryesore që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës në Maqedoninë  e Veriut si për shembull ikja e Gruevskit, mosheqja e mandatit të Trajko Veljanovskit, amnestimi i disa nga të akuzuarit e 27 Prillit si dhe kompromiset që janë duke u bërë lidhur me statusin e mëtejshëm të PSP. Këto janë elementet esenciale ku mund të kritikohemi sa i përket vendosjes së sundimit të së drejtës.

Por ajo që ka rëndësi është se sundimi i së drejtës është kthyer në agjendë, dhe tani duam apo s’duam, jemi të detyruar t’i rregullojmë ca punë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button