TURMA!

Të ligëve, nuk ju konvenon që të unifikohet e drejta, dinjiteti dhe e mira andaj kaq shumë sot po promovohet përçarja sa që është mjeti që mba të fortë dhe të pamposhtur të ligët dhe i bën të fuqishëm në sistem.  Vihet re se si janë shuar shpresat e të rinjve, ata që janë kapitali më i madh i një shoqërie. Vite më parë, kur shtëpitë tona u bënë edhe shtëpi për  vëllezërit tanë nga Kosova atëherë shumë humbën jetë njerëzish mbase lufta bëri  atë që bën gjithmonë, por një politikë destruktive, pa moral dhe pa një vizion të qartë, shuan shpresën e qindrave të rinjve në Maqedoninë e Veriut. Është shumë e vështirë që sot, të bindim të rinjtë që Maqedonia e Veriut ka perspektivë, aq më tepër kur çdo qeveri shoqërohet me skandale të llojit të nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucionet janë shndërruar në biznese familjare të elitës politike të vendit dhe sa herë që  reagohet për diçka të tillë synohet të ulët zëri kritik. Por, sa më shumë që ne qëndrojmë të heshtur, aq më fortë pozicionohen ata, ata të cilët për institucionet kanë krijuar koncept të biznesit familjarë, për politikën kanë krijuar koncept që politika është mjet që ndryshon vetëm ata dhe rrethin e tyre të ngushtë. Gjithë kjo do merr fund vetëm atëherë kur  do të fillon e të mblidhet turma.

Muaj më parë pati një reflektim nga ana e të rinjve, nuk dua të ndalemi dhe të analizojmë mbi faktorët që shuajtën turmën apo mbi mënyrën se si turma u organizua, por, në thelb turma duhet të vazhdoj e të mblidhet.
Ka kaq shumë arsye që turma të mblidhet dhe të mos shuhet deri sa të ndërtohen strategji, mekanizma dhe plane afatgjate për zgjidhjen e problemeve. Vetëdijesimi i elitës politike nuk ndodh në një formë tjetër, pos ekzistencës së turmës.  Padyshim që turma duhet të jetë e vendosur në arritjen e qëllimit dhe se ndërtimi i sistemit të barabartë do përgjegjësi individuale dhe kolektive. Përgjegjësia individuale fillon në momentin kur ne do të refuzojmë të bëjmë kompromis me djajtë që promovojnë ose nxisin korrupsionin që nga shtëpia jonë dhe përgjegjësia kolektive fillon atëherë kur ne bashkërisht i kundërvihemi  korrupsionit e krimit të organizuar në lagje, në fshat, në qytet etj.
Maqedonia e Veriut nuk ka resurse të tjera si p.sh të naftës apo gazit, të vetmet resurse në vendin tonë janë burimet njerëzore. Në rast se, sistemi politik dëshiron të ndërtojë plane afatgjate për mirëqenie sociale dhe ngritje ekonomike duhet ta bëjë duke pasur mision punësimin e të rinjve.  Fatkeqësisht sot,  edhe institucionet me paga të larta janë të punësuar vetëm familjarë të politikanëve shqiptar ndërkaq të rinjtë detyrohen të largohen nga vendi. Nxitja e të rinjve për biznese në agrokulturë duhet të jetë një nga prioritetet e vendit, madje për këtë ekzistojnë edhe programe të BE-së për të cilat  sistemi fare nuk orvatet që t’i promovojë dhe t’ju jap  mundësi të rinjve inovativ dhe vizionarë, jo vetëm në agrokulturë por edhe më gjerë.

Gjithë kjo situatë që mbretëron në mesin tonë, ka rrudhur ambiciet, planet dhe dëshirat tona që me profesionalizmin tonë t’i  shërbejmë vendit.

Për të ndryshuar gjithë ky kaos politik e shoqërorë, domosdoshmërisht që turma të mblidhet sepse çdo e keqe e këtij vendi troket në derën e shtëpisë sonë e me forcë kërkon haraç. Ne mbetemi lojal ndaj një sistemi i cili në vete ngërthen gjithçka  që shkatërron qenien njerëzore dhe sa pak marrim në kundërvlerë të asaj që ne jemi lojal ndërsa sistemi aspak.

Gjithë kjo ikje masive sot ndodh si rezultat i asaj që ne nuk mund të mblidhemi dhe të bëhemi turmë për t’iu kundërvënë sistemit i cili nuk garanton siguri dhe perspektivë për ne. Individualisht askush nga ne nuk mund të bëjë atë që bën turma, vetëm turma bën shtratin e elitës politike zonë gjembash.

Përderisa ne qëndrojmë indiferent dhe pasiv, elita politike do të hedh valle mbi shpresat tona të shuara, vetëm turma i bën të kuptojnë se sa të pafuqishëm janë.

Turma duhet të kërkojë vazhdimisht sistem arsimorë që garanton edukim të mirëfilltë, bazuar në vlera dhe metoda të cilat do të zhvillojnë potencialin e të rinjve, duhet kërkuar rindërtimi i sistemit të drejtësisë në të cilin sot gjykatësit nuk duan pak, por duan shumë dhe se për  epilogun  vendos paraja. Duhet kërkuar infrastrukturë me standarde evropiane, për atë që ne pretendojmë, por fatkeqësisht ende kemi problem me ujin e pijshëm,  probleme të kësaj natyre në botën evropiane që moti të zgjidhura.

Vazhdimësia e turmës gjithmonë do  të ndihmojë në ngritjen e moralit tek elita politike, por edhe tek kolektivi.
Nxitja e mendimit kritik do ta rris turmën, shikuar nga ky prizëm sistemet demokratike janë ndërtuar mbi bazën e arsyes dhe mendimit kritik, çdo tentativë për ta shuar mendimin kritik  tek masa e veçmas turmën, na bën të qartë që vendi kurrë nuk do garantojë siguri dhe jetë më të mirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button