Zaevi i ka premtuar “Sovestit” se do ta ndalojë ndërtimin e minares së Xhamisë në Ohër

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot ka realizuar takim me u.d. kryetarin e Komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski dhe u.d. drejtoren e IN Enti dhe Muzeu Ohër, Eleonora Novakovska me përfaqësues dhe kryetar të shoqatës së qytetarëve “Sovest”, Mihail Trendafillov, njofton Portalb.mk.

Në takim është biseduar për çështjen e ndërtimit të minarës së Xhamisë “Ali Pasha” në qendër të Ohrit, që sipas autoriteteve komunale, por edhe organizatës joqeveritare “Sovest”, po ndërtohet pa leje.

“Në takim kemi biseduar për problemet e trashëguara për ndërtimin kontestues pa dokumentacion përkatës të një pjese të objektit religjioz në qendër të qytetit  dhe për gjetjen e zgjidhjes në pajtueshmëri me ligjin, por është diskutuar edhe për aspektet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Ohër, e cila është me rëndësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Sipas kumtesës, kryeministri Portalb.mk ka theksuar se institucionet do të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet e Maqedonisë së Veriut dhe nëpërmjet dialogut me të gjitha palët e përfshira dhe duke e pasur parasysh se kjo çështje është mjaft sensitive, do të gjendet zgjidhje në interes të qytetarëve të Ohrit dhe të shtetit e cila mbetet e përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore që e posedon qyteti i Ohrit.

Nga Bashkësia Fetare Islame deklaruan se nuk janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim.

“Nuk jemi ftuar, po të na kishin ftuar me siguri do të merrnim pjesë”, thonë për Portalb.mk, nga BFI, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë në lidhje me këtë çështje.

Nga shoqata “Sovest”, zbulojnë se kryeministri Zaev u ka premtuar se do të ndalohet ndërtimi i minares.

“Kryeministri na siguroi se do të bëjmë gjithçka që ne kërkuam. Ai na tha se nëse duhet, Xhamia e Ali Pashës do të ruhet me asistim të policisë, me qëllim që të ndërpriten aktivitetet ndërtimore rreth saj”, tha Tome Xhamtoski nga “Sovest”.

Ai gjithashtu theksoi se kryeministri u ka premtuar që do të ndalohet hyrja në Xhaminë e Ali Pashës dhe do të vendoset moratorium për ndërtim.

Kryetari I Komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski, pas takimit ka siguruar se do të veprojë në pajtueshmëri me ligjet, por në drejtim të zgjidhjes paqësore të problemit.

“Unë jam kryetar i të gjithë qytetarëve në Ohër. Nëse qytetarët të cilët janë të interesuar për ndërtimin e minares duan të realizojnë takim, unë edhe me ato do të vijë në Qeveri. Duhet që njëherë e përgjithmonë të hapen të gjitha dokumentet dhe faktet që t’i vëmë fund këtij problemi”, tha Georgiev.

Prokuroria ka hapur lëndë për punët ndërtimore të xhamisë, ndërkaq prokuroria ka konstatuar personi juridik nuk kanë miratim të plotfuqishëm të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë ka miratuar vendim për ndalimin e punimeve.

Paraprakisht, gjegjësisht në vitin 2017-të, nga Bashkësia Fetare Islame për Portalb.mk, kanë deklaruar se ndërtimi i minares po bëhet në pajtueshmëri me lejen e ndërtimit dhe e njëjta do të ndërtohet.

“Me lejen e Zotit xhamia do të ndërtohet. Të gjitha aspektet si  juridike, ashtu administrative dhe të gjitha dokumentet i kemi. Këto që bisedohen, këto çka dalin janë vetëm një tendencë, xhamia ka leje për ndërtim, leje për rikonstruim nga Qeveria e Maqedonisë. Edhe pse është pronë e jona, ajo është njëra prej monumenteve që mbrohen me ligj, por ajo do të rikonstruohet pavarësisht se çfarë zërash ka, ajo do të rikonstruohet”, tha për Portalb.mk, Muzemil Osmani nga BFI më 24.11.2017, duke shtuar se pengesa e organizatës qytetare është minarja, pasi që ata nuk duan që të jetë 33 metra..

Ministria e Kulturës në shkurt të vitit 2018, formoi Komision nga persona profesional që t’i inspektojë rrethanat në lidhje me restaurimin e Xhamisë Ali Pasha në Ohër. Grupi punues erdhi në përfundim se ministri i Kulturës nuk ka bazë që t’i ndërpret punimet, por i inkurajon të gjitha institucionet kompetente të veprojnë nëse ka indikacione për shkelje të procedurave ligjore.

Xhamia e “Ali Pashës” është ndërtuar në vitin 1573 nga Sulejman Pasha. Në këtë kohë ajo gjithashtu shërbeu si një shkollë e mesme fetare. Më vonë në vitin 1823 xhamia është rinovuar nga veziri Ali Pasha, prandaj edhe e ka marrë emrin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button