Qeveria e RMV-së është e vendosur: S’ka ndryshim të propozim-Ligjit të Prokurorisë dhe të Katica Janevës

“Definitivisht, për ne si Qeveri propozim Ligji për Prokuroria Publike që është përpiluar është zgjidhja më adekuate dhe konsiderojmë se i njëjti duhet të zbatohet, pa zvarritje”, kështu është deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Mile Boshnjakovski, ndërkaq kryeministri Zoran Zaev, ka përsëritur qëndrimin se nuk do ta ndërrojë ekipin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski

Propozim-Ligji i Prokurorisë Publike është temë diskutimi i grupit të punës ndërmjet partisë opozitare, VMRO-DPMNE dhe Qeverisë së RMV-së, por edhe pse të hënën u realizua takim, nuk u arrit marrëveshje. Në lidhje me këtë, Boshnjakovski, ka njoftuar se takimi i ardhshëm i grupit të punës do të mbahet të premten, ndërkaq deri nesër, e enjte, opozita duhet t’i dorëzojë qëndrimet në formë amendamentesh

“Kështu është marrë vesh në takimin paraprak. Takimi tjetër është marrë vesh se do të ndodh të premten, këtë të premte, dhe po, ekzistojnë dallime kyçe ndërmjet opozitës, përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, dhe Qeverisë së RMV-së”, tha Boshnjakovski.

Dallimet kyçe janë:

– opozita kërkon që PSP-ja të jetë sektor në kuadër të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe jo Prokurori e veçantë siç është qëndrimi i Qeverisë dhe
– ardhmëria e lëndëve që PSP-ja i ka në rrjedhë, procedurat parahetimore dhe aktakuzat që janë ngritur pas 18 muajsh nga dorëzimi i materialeve.

Zaev: Nuk mendoj ta ndërroj Katica Janevën

Në një intervistë për Agjencinë Mediale Informative (AMI), kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev ka deklaruar se nuk mendon ta ndërrojë kryetaren e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), sepse siç tha ai, ajo dhe grupi punues i saj, ishin “grimca e shpresës për kthimin e shtetit të së drejtës”.

“Absolutisht jo. Kjo është për mua çështje institucionale, për arsye se me të vërtetë Katica Janeva dhe ekipi i saj i prokurorëve, hetuesve dhe të gjithëve që punojnë ishin në një kohë shumë të vështirë grimca e shpresës për kthimin e shtetit ligjor, i cili ja filloi të kthehet në vendin tonë. Unë jam i bindur se nuk guxojmë të dërgojmë porosi të këqija deri te ata që kanë mbijetuar, kanë treguar guxim, duke besuar tek shteti, tek sistemi, tek Kushtetuta dhe ligjet, në kohë të vështirë. Duhet t’i mbështesim kapacitetet e tyre. Unë i dëgjoj edhe kritikat e opozitës dhe jo se nuk kam mirëkuptim për to, por përparësitë e institucionit të krijuar në këtë mënyrë, me këta njerëz është me të vërtetë përparësi e madhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, të hënën në Ministrinë e Drejtësisë kanë nisur bisedimet mes grupit punues të VMRO-DPMNE-së i udhëhequr nga avokati, Toni Menkinovski, ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe përfaqësuesit të BDI-së, Artan Grubi.

Lufta kundër korrupsionit, Ligji për Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe reformat në sektorin e sigurisë, janë fushat që RMV-ja duhet t’u kushtojë vëmendje javëve në vijim, sepse ato do ta përcaktojnë fatin e marrjes së datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), kështu ka vlerësuar eurokomesari Johanes Han.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button