Mbi Hermesin dhe fluturat e attarit

GJUHA E ËNDRRËS. Gjuha e artit është simbolike, e shumëkuptimshme dhe mundëson interpretime të pafundme. Lexuesi përherë ka vështirësi gjatë “dekodimit” të kësaj gjuhe. Për “dekodimin” dhe shijimin një vepre artistike duhet kultura e gjerë e lexuesit. Një vepër arti e lexon, e shikon ose e dëgjon kultura jonë. “Nuk përkthej unë, por kultura ime”, përgjigjej Mitrush Kuteli, kur e akuzonin se përkthente shpejt.

HERMESI.  Miti na thotë se Hermesi arrinte që gjuhën hyjnore ta bënte të kapshme për njerëzit. Në mitologjinë romake ky ishte Merkuri, zëdhënësi i perëndive. Hermesi është krahasuar me përkthyesin, por edhe me kritikun letrar, i cili flet me gjuhë të zakonshme për një gjuhë të harruar.

Kritiku letrar dhe studiuesi i letërsisë na ndihmon sikurse Hermesi, por kënaqësia estetike vjen vetëm nga teksti letrar. Kritika letrare shpesh herë u ka bërë lexime të gabuara veprave letrare. Madje, kritikët dhe studiuesit i kanë bërë dëm letërsisë, veçanërisht në sisteme diktatoriale, atëherë kur kanë tentuar që veprën letrare ta shtrijnë në shtratin e Prokrustit. Danilo Kish në esenë “Mbi pluralitetin” (1974) u kundërvihej kritikëve dogmatikë, që tentonin t’i imponon idetë dhe shijet e tyre në mënyrë tiranike. Folja “lexoj”, ashtu si folja “dua” apo folja “ëndërroj”, nuk e duron dot mënyrën urdhërore, thotë Borges-i.

VARREZA PËRKUFIZIMESH. Sot tentohet që metagjuha (gjuha që flet për një gjuhë tjetër) të bëhet më e rëndësishme se sa gjuha e ëndrrës. Nëpër revista shkencore lexon studime të shumta, por aty nuk botohen shkrime letrare. Madje, sa nuk është ndaluar botimi i poezive, me arsyetimin se nuk u shkon revistave shkencore. Studiuesit dhe kritikët letrarë, ndërkohë, kanë humbur nëpër varreza përkufizimesh e metodash. Për ta gjuha tokësore është më e rëndësishme se sa gjuha që e flet qielli ose zjarri. Kjo tendencë, siç thotë studiuesi Cvetan Todorov, e vë letërsinë në rrezik…

QIELLI DHE ZJARRI. Poeti shpesh është krahasuar me qiriun, zjarrin, feniksin, guacën, albatrosin, nositin… Akti i krijimit është quajtur akt hyjnor, prandaj u përfytyruan muzat apo pegasi. Për aktin e krijimit ka shumë mendime, por ai do të mbetet përherë i mistershëm. Në antikë është thënë se poeti këndon kur në vesh i pëshpërit Zoti. Të tjerë i kanë mohuar krahasimet e ngjashme…

Lexuesi kënaqet me një poezi, por poeti digjet derisa e shkruan atë, pa mundur ta rrëfejë atë që ka përjetuar. Në këtë vuajtje ka kënaqësi. Kënaqësi nga vuajtja, njëfarë mazohizmi.

FLUTURAT E ATTARIT. Feriduddin Attari shkruan për fluturat që ndjejnë kënaqësi duke u rrotulluar rreth zjarrit. Fluturat aq shumë i afrohen zjarrit sa nuk e ndjejnë se janë duke u djegur. Gjatë djegies përjetojnë mrekulli, por nuk kanë kohë që ta rrëfejnë.

Attari është poet pers i shekullit XII. Vepra e tij më e njohur është “Gjuha e zogut”. Attari njihet si poet që kurrë nuk kishte shkruar himne për sundimtarët. Madje thotë: “Kurrë himne për sundimtarët s’kam kënduar/ dhe perlat e kësaj bote kurrë s’i kam kërkuar”.

Poeti, që bënte jetë asketi, ju përkushtua vetëm lutjes e poezisë. Rumi thoshte se “Attari ishte shpirt”. Ose: “Shtatë qytete dashurie ka kaptuar Atari, e ne ende jemi në një rrugë”.

GJUHA E ZJARRTË. Poetët janë si fluturat e Attarit. Atë që e ndjejnë nuk mund ta rrëfejnë deri në fund. Përpjekja e tyre për ta rrëfyer mrekullinë ngjan me përpjekjen e plakut Santiago te vepra Plaku dhe deti nga Heminguej. Plaku ka bërë luftë me peshkun e madh dhe të bukur deri sa e ka vrarë, por në breg e ka nxjerrë vetëm skeletin e peshkut, sepse mishin ja kanë ngrënë peshkaqenët. Bukurinë e peshkut e ka parë vetëm plaku Santjago. Si ato fluturat e Attarit.

Naim Frashëri e krahason poetin me qiriun. Gjuha poetike për Naimin ishte gjuhë e zjarrtë. “E kush shkruhen në kartë, fjalët e gjuhës së zjarrtë?”.

Bodleri e krahason poetin me princin e reve, albatrosin. Poeti, si albatrosi, rrezaton bukuri magjepsëse vetëm gjatë fluturimit, kurse kur zbret në kuvertën e anijes e humb këtë bukuri dhe vihet në tallje nga kapitenët e anijes. Këtë gjendje e shpreh bukur Markesi: “Jam shkrimtar vetëm kur shkruaj, përndryshe jam si gjithë idiotët tjerë”.

Lasgush Poradeci e krahason poetin me nositin, që vetëflijohet duke i ushqyer të tjerët me shpirtin e tij.

Një perlë poetike e Gibranit flet për perlën. Janë dy guaca: njëra e lumtur dhe tjetra e pikëlluar. Guaca e pikëlluar vuan për shkakun e perlës që ka brenda vetes.

POETI DHE SHKOLLA. Nuk ka shkollë për poetë. Kur në gjykatë e pyetën Brodskin nëse kishte bërë shkollë për poet, ai u përgjigj: “Nuk e kam ditur… nuk e kam menduar që poezia mësohet nga shkolla”. E kur gjyqtari tentoi ta dinte se nga mësohej, Brodski iu përgjigj: “Mendoj se… se… nga Zoti”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button