Mali i Zi i Shkupit u kaplua nga zjarri, Qendra e Krizave: Në orët e mëngjesit do të angazhohen avionët (VIDEO)

Mali i Zi i Shkupit është kapluar nga zjarri. Zjarri në pjesën e Shkupit erdhi nga pjesa e maleve të Kumanovës, të cilat filluan të digjen që në ora 12 të ditës së sotme. Siç sqaruan nga Qendra për Menaxhim me Kriza, në terren kanë qenë Ekipi i Njësitit të Sigurisë dhe Kundërzjarrit, por për shkak të erës dhe terrenit të papërshtatshëm, shuarja është vështirësuar, transmeton Portalb.mk.

Pamjet nga zjarri: “Duam Çair të Pastër”.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar se Komuna e Gazi Babës ka kërkuar që në orët e mëngjesit të ditës së nesërme të angazhohen avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Në lidhje me zjarrin në Malin e Zi të Shkupit, në vendin e quajtur “Varri Vlleh”, ju informojmë se ekipet e Njësitit të Sigurisë dhe Kundërzjarrit të Qytetit të Shkupit kanë intervenuar në shuarjen e zjarrit, por për shkak të erës dhe terrenit të papërshtatshëm, shuarja është vështirësuar. Zjarri është shpërndarë drejt fshatit Nikushtak dhe fshatit Matejçe, në pjesën e sipërme të malit. Është djegur bari i thatë dhe pylli. Prej Komunës së Gazi Babës është kërkuar që në orët e hershme të mëngjesit të angazhohen avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Ekipet e Njësitit të Sigurisë dhe Kundërzjarrit do të qëndrojnë në vendngjarje gjatë natës, që të kontrollojnë shpërndarjen e zjarrit.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button