Putin i ka nënshkruar ligjet kundërthënëse për internetin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi legjislacionin që u mundëson autoriteteve ruse të bllokojnë faqet e internetit dhe të miratojnë dënime për “lajme të rreme” dhe materiale që i konsiderojnë fyese për shtetin apo publikun, transmeton REL.

Dy ligjet, që, sipas kritikëve, janë përpjekje e Kremlinit për të rritur kontrollin në internet dhe për të heshtur kundërshtarët, u nënshkruan nga Putin të hënën, thuhet në njoftimin e postuar në ueb-faqen e Qeverisë ruse.

Dhoma e Lartë e Parlamentit rus – Këshilli Federal – i miratoi ligjet më 13 mars, pasi Dhoma e Ulët – Duma e Shtetit – i miratoi ato më 7 mars.

Njëri ligj parasheh gjoba deri në 100,000 rubla, apo 1,300 euro, për, siç thuhet, “postimet e pahijshme online”, të cilat tregojnë “mungesë respekti për shoqërinë, vendin, simbolet shtetërore të Rusisë, Kushtetutën ose autoritetet”.

Shkelësit e përsëritur mund të goditen me gjoba dyfish ose me 15 ditë burgim.

Me ligjin tjetër, autoriteteve u jepen kompetenca për të bllokuar faqet në internet që publikojnë materiale “mosrespektuese” ose “lajme të rreme”.

Rregullatori i medias në Rusi, Roskomnadzor, do t’iu japë përdoruesve të internetit 24 orë kohë për të hequr materialin, i cili cilësohet fyes për shtetin ose shoqërinë nga prokurori i përgjithshëm i shtetit ose zëvendësit e tij.

Ueb-faqet që nuk e bëjnë këtë, do të bllokohen, thuhet në ligj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button