Pushteti dhe opozita nesër do të bëjnë pazar për Prokurorinë Speciale

Një javë pas takimit të liderëve mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, grupet punuese për Ligjin për Prokurori Publike, me të cilin zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale, ende nuk janë mbledhur. Jo-zyrtarisht, sipas televizionit “Telma”, për marrëveshjen fillestare grupet e dy partive do të takohen nesër pasdite, njofton Portalb.mk.

Pushtetin do ta përfaqësojë ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe zëvendësi i saj, Ristovski, ndërkaq në ekipin e opozitës do të jetë avokati Toni Menkinovski dhe juristë të tjerë.

Shumica parlamentare insiston që të miratohet Ligji për PSP-në përpara raportit të Komisionit Evropian, ndërkaq opozita nuk shpejton. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, tanimë ka theksuar se do të kërkojë ndërrim të prokurores speciale, Katica Janeva dhe ekipit të saj, por thonë se kanë edhe një sërë vërejtjesh për ligjin.

Kryeministri Zaev deklaroi se e përkrah plotësisht Janevën dhe tërë përbërjen e PSP-së.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të mbështesë, sepse sipas tyre “kjo është një lojë politike”, ndërsa e pakënaqur me punën e PSP-së është edhe Besa. E pasigurt është edhe mbështetja e grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE, si dhe PDSH.

Sipas Zëvendës-kryeministrit për Çështje Evropiane Bujar Osmani, është rrenë lajmi se BDI insistoi për ndryshime në ekipin e PSP-së.

Osmani ka theksuar se BDI do të vazhdojë mbështetjen për të siguruar shumicë dhe për të miratuar ligjin e ri për prokurorinë publike, në të cilën është inkorporuar PSP-ja, sepse, siç tha dje, do të jetë pikë referimi e rëndësishme për vlerësimin e suksesit të agjendës së reformave.

Ligji për Prokurori publike, për të cilin nevojitet shumica prej dy të tretave, do të ishte mirë që të miratohet para zgjedhjeve së bashku me ligjet e tjera të reformave të cilat janë kusht i Bashkimit Evropian për të marrë datë për negociata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button