Analizë: Arrestime, gjykime dhe aktgjykime, javë dinamike në Maqedoni

Java filloi me arrestime për tragjedinë e autobusit dhe shpërdorim në shërbimet e inteligjencës ndërsa përfundoi me aktgjykim për terrorizëm, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

16 prej 18 të akuzuarve, të cilët nuk u amnistuan, për sulmin e organizuar terrorist më 27 prill 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të premten (15.03.19) u dënuan në gjithsej 211 vjet burg. Operisti Igor Durllovski, një nga udhëheqësit e grupit të protestuesve “Për Maqedoninë e përbashkët” të cilët ishin organizatorët fillestarë të sulmit, u lirua, ndërsa vetëm edhe për një person ende po vazhdon procedurën e veçanta për shkak të sëmundjes.

Dënimin më të rëndë e mori ish-drejtori i Byrosë së sigurimit publik të Maqedonisë së Veriut, Mitko Çavkov, i cili u dënua me 18 vite burg.

15 persona janë të dënuar për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, gjatë sulmit në Kuvend më 27 prill 2017, ndërsa një për ndihmë dhe kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë.

Në fillim të procesit gjyqësor për sulmin, ishin të akuzuar 33 persona, në mesin e tyre edhe deputetët tani të amnistuar të VMRO-DPMNE, Krsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov dhe Lupço Dimovski, si dhe të dy liderët më të zëshëm të “Për Maqedoninë përbashkët” Bogdan Ilievski-Betmen, Boris Damovski dhe Vllado Jovanovski, të cilët gjithashtu, u amnistuan me Ligj që u miratua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa për ata të cilët e kanë porositur sulmin në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Prokuroria për krim të organizuar ka hapur hetim të ri, për çka të dyshuar janë funksionarët e atëhershëm kryesore të partisë opozitare VMRO DPMNE: ish-kryeministri i arratisur në Hungari – Nikolla Gruevski, ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, ish ministrat: Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, dhe ish-punonjës të shërbimit të inteligjencës.

Paraburgime për tragjedinë e autobusit te Llaskarca

Për të arrestuarit për aksidentin e autobusit te Llaskarca në të cilin vdiqën 15 persona ndërsa 39 të tjerë u lënduan, Gjykata ka caktuar paraburgim për pronarin dhe shoferin e kompanisë “Durmo Turs“.

Prokuroria ka kërkuar arrestimin e shtatë personave, përfshirë shoferin dhe pronarin e autobusit dhe disa punonjës në “Durmo Turs” dhe në stacionin për kontroll teknik, e që të dyja në pronësi të të njëjtit pronar.

Hetimi njëmujor, i Prokurorisë themelore publike Shkup, për aksidentin e autobusit te Llaskarca, në të cilin vdiqën 15 persona ka zbuluar se shpejtësia mbi kufirin e lejuar, si dhe parregullsi teknike të autobusit të “Durmo Turs” janë arsyet kryesore për aksidentin.

Gjashtë nga të dyshuarit ndiqen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, për çka parashihet dënim me burg prej të paktën 4 vjet. I dyshuari i shtatë akuzohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim.

Shpërdorimi po e “dridh” shërbimin sekret të Maqedonisë së Veriut

paraburgim gjendet Toni Jakimovski, ish-shefi i kabinetit të Sasho Mijallkovit, derisa ky i fundit ishte kreu i shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut. Jakimovski dhe tre punonjës tjerë në këtë shërbim janë të dyshuar për shpërdorim të parave zyrtare dhe se e kanë dëmtuar buxhetin me 50 milionë denarë, informon Prokuroria themelore publike për krim të organizuar dhe korrupsion në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nga janari 2007 deri në maj 2017, të dyshuarit, si zyrtarë në DSK-së, kanë abuzuar me para zyrtare. Në atë periudhë, në 172 raste, ata kanë ngritur para zyrtare dhe në fund të vitit i kanë shkatërruar dokumentet për pagesat, pa leje të veçantë nga Drejtori i drejtorisë dhe pa procesverbal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button