Të hënën pritet t’i marrin pagat të gjithë punëtorët e Trepçës

Deri më tani vetëm punëtorët e minierës me flotacion në Stan Tërg i kanë marrë pagat e muajit të kaluar por jo edhe ata të njësive tjera biznisore në kombinatin Trepça, kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së punëtorëve në këtë ndërmarrje, Shyqyri Sadiku.

Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, ka thënë Epoka e Re, se ka pasur para nga mjetet e prodhimit vetëm për pagat e minierës me flotacion në Stan Tërg.

Ai ka bërë me dije se nga nesër (e hënë) kur parashihet që të transferohen paratë nga buxheti i shtetit, do të bëhen pagesat për të gjithë punëtorët e Trepçës.

“Më 14 mars kemi nënshkruar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka një marrëveshje me të cilën Trepça përfiton si tërësi rreth 5 milionë euro, një pjesë e tyre është për subvencione me transfer, kurse pjesa tjetër është për investime kapitale, por që për shkak të procedurave ende nuk kanë ra në linjën e Trepçës. Ne jemi në pritje dhe besoj se të hënën do të përfundojë kjo çështje dhe mandej bëhet pagesa edhe për punëtorët e njësive tjera për muajin e kaluar. Mirëpo kjo ndarje që ka ndodhur vetëm për minierat me flotacion në Stan Tërg ka qenë veprim i menaxhmetit dhe i kanë bërë pagesat për aq sa ka pasur mjete në dispozicione, sepse nuk ka pasur mjetet për pagesat e punëtorët të njësive tjera, pra prej mjeteve të prodhimit. Më së largu të hënën ose të martën do të bëhet shpërndarja e të gjitha pagave”, ka thenë Syla.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në Trepçë, Shyqyri Sadiku, ka thënë për Epoka e Re, se vetëm punëtorët e minierës së Stan Tërgut i kanë marrë pagat deri më tani kurse të gjithë punëtorët e njësive tjera akoma s’i kanë marrë.

“Punëtorët e ‘Trepçës’ akoma nuk i kanë marrë pagat në tërësi, pasi që të premten u janë dhënë pagat vetëm punëtorëve të minierës së Stan Tërgut, ndërsa të gjitha njësitë tjera duke përfshirë edhe minierën e Artanës dhe Kishnicës, nuk i kanë marrë pagat. Ne nuk i dimë arsyet se pse është bërë kjo ndarje, kur dihet që është nënshkruar marrëveshja në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryesuesit të Bordit për subvencionim të Trepçës dhe është bërë alokimi i mjeteve nga buxheti i Republikës së Kosovës diku rreth 5 milionë euro. Ne Sindikata e Trepçës e kundërshtojmë këtë ndarje në mënyrë të padrejtë që dikujt t’i jepet paga e dikujt jo. Nuk ka ndonjë arsye që të bëhen këto ndarje. Në të gjithë jemi punëtorë të ‘Trepçës’ dhe duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, ka thënë Sadiku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button