Terroristët jetojnë nga urrejtja mes njerëzve të rëndomtë, të mos ua zgjasim jetën!

Akti terrorist në Zelandë të Re është reflektim i polarizimit të skajshëm nëpër të cilën kalon bota sot. Ky polarizim nuk është asgjë e re dhe në periudha të ndryshme kohore, ekstreme të kundërta janë përplasur duke prodhuar dhunë dhe pasoja të jashtëzakonshme të cilat në fund kanë kushtuar jetë të pafajshme njerëzish, të cilët pa vullnetin e tyre janë përdorur mish për top. Dhe në fakt, ato njerëz të cilët kanë refuzuar të marrin anë, ata të cilët kanë kërkuar të qëndrojnë jashtë ekstremeve kanë qenë viktimat të cilët kanë paguar më shtrenjtë marrëzitë e tyre.

Mes shumë dhune, bota kryesisht sot përballet me dy ekstreme të kundërta, të cilat në mënyrë pothuajse të përkryer ushqejnë njëra tjetrën. Kështu, në njërën anë dominon ekstremi i djathtë i cili në thelb ushqen antisemitizmin, etno-nacionalizmin, urrejtjen ndaj emigrantëve dhe urrejtjen ndaj islamit. Në anën tjetër, janë ekstremistët fundamentalist fetar që përdorin dogmën e islamit dhe në thelb predikojnë një shoqëri të mbyllur, thellësisht konservatore dhe përjashtuese për çdo lloj forme tjetër të organizimit shoqëror, përfshirë këtu edhe shoqëritë demokratike. Që të dy palët nuk e kursejnë dhunën për të instaluar botëkuptimin e tyre mbi shoqëritë ku veprojnë ndërsa faturën e paguajnë fëmijë, gra, pleq e qytetarët të pafajshëm. Por çka mund të mësojmë nga sulmi i sotëm terrorist, me ato që dihen deri tash?

Sulmuesi, një ekstremist i djathtë planifikoi në përsosmëri aktin e tij dhe me ç’mund të kuptohet qëllimi i tij kryesor, ashtu si në të gjitha aktet terroriste, nuk kanë qenë viktimat. Ai është kujdesur që kjo tragjedi makabre të nxis dhe thelloj edhe më tepër ndarjet dhe urrejtjen mes ekstremeve dhe idealisht të rekrutoj për të dyja palët më tepër mbështetës. Ja disa shembuj:

  • Në manifeston e tij të publikuar para aktit, ai ka përmbledhur të gjitha mendimet e tij raciste, anti-islamiste dhe kundër emigrantëve. Kjo është një taktikë e njohur e terroristëve të cilët përmes tragjedisë së jetëve të humbura duan ti japin jehonë mesazheve dhe ideologjisë së tyre. Kjo rrjedhimisht prodhon narrativ për të dy ekstremet dhe nxit debatin Ne-kundër-atyre, taktikë propagandistike që përdoret gjerësisht nga grupet radikale.
  • Publikimi i videos makabre të ekzekutimit – fatkeqësisht, lajmi i keq është lajmi më i mirë dhe për rrjedhojë kjo prodhon publicitetin më të mirë, diçka për të cilën vuajnë grupet radikale. Ashtu si ekzekutimet e ISIS, edhe kjo video duhet në njërën anë të nxis ‘’mburrje’’ dhe të ris ‘’moralin’’, ndërsa nga ana tjetër të nxis urrejtje dhe dëshirën për hakmarrje, e cila nëse ndodh eventualisht, i shërben spirales së dhunës së vazhdueshme, por më së shumti i shërben arsyetimit të saj, pra arsyetimit të përdorimit të dhunës.
  • Përdorimit i emrave nga periudha dhe vende të ndryshme – nuk është e panjohur përdorimi i figurave të ndryshme historike për të simbolizuar ideologjitë dhe për të frymëzuar ndjekës të rinj. Kështu, figura e Hitlerit, Musolinit e të tjerë të ngjashëm janë nxitës, frymëzues dhe rekrutues për radikalët neo-nazist ndërsa grupe të ndryshme përdorin figura të ndryshme për të simbolizuar ideologjinë e tyre. Kësaj radhe, terroristi që kreu aktin ishte kujdesur që të përfshijë sa më shumë emra, për të nxitur dhe më tepër ndarjet. Siç duket, ai ka analizuar me kujdes ideologjitë ekstremiste edhe në Ballkan. Përfshirja e Karagjigjit dhe kriminelëve tjerë të luftës në viset e ish-Jugosllavisë duhet t’ju shërbej etno-nacionalistëve në Ballkan për të thelluar narrativin përçarës dhe gjuhën e urrejtjes. ‘’Për habi’’, ai ka përfshirë edhe emrin e Skëndërbeut në njërën prej armëve të tij dhe jo-rastësisht kjo koeçidon me narrativin e ekstremistëve të dhunshëm fetar islamist, mbështetës të ISIS-it, të cilët e përdorin përbaltjen e figurës së tij (dhe me raste edhe të Nënës Terezë) për të përçarë shqiptarët dhe për të avancuar agjendën e tyre në Ballkan.

Se si do ti përgjigjemi ne kësaj sfide të fundit, mbetet për tu parë por ajo që është shumë e rëndësishme është të jemi të kujdesshëm se çka shkruajmë dhe çka shpërndajmë në rrjetet sociale. Fatkeqësi të tilla janë raste ideale për ekstremistët  që të arsyetojnë përdorimin e dhunës në avancimin e agjendës së tyre. E pamë me etno-nacionalistët në rastin tragjik në Llaskarcë, e kemi parë edhe në qindra raste të tjera. Ato nuk vuajnë për humbjen e jetëve, për më tepër, jetët e humbura janë ushqim për ideologjinë e tyre. Ne duhet të dënojmë ashpër çdo lloj dhune në emër të një ideologjie, qoftë ajo fetare, etno-nacionaliste, politike apo të ideologjive të esktremit të djathtë ose të majtë.

Terroristët nuk kanë etni, nuk kanë religjion. Terroristët jetojnë nga urrejtja mes njerëzve, prandaj të mos ua zgjasim jetën!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button