Maqedonia e Veriut, partitë politike mund të “shpëtojnë” nga llogaridhënia financiare

Debati në Komisionin për Çështje Evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RVM), ka ngjallur dyshime se nga Ligji për qasje deri të informacionet me karakter publik mund të përjashtohet financimi i partive politike. Kjo mund të ndodh me amendamentet që mund t’i dorëzojnë deputetët, transmeton Portalb.mk.

OJQ-të insistojnë që partitë të përfshihen në Ligj, pasi që kjo do ta rriste tranparencën në harxhimin e parave publike.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi, në mbledhjen e së enjtes në komision, paralajmëroi se Ligji mund të pësojë ndryshime nga varianti i parë që u miratua në seancë qeveritare, dhe në të mos përfshihet financimi i partive politike. Sipas Grubit ky është rekomandim i OSBE-së.

“Ka pasur rekomandime nga OSBE-ja, që dhënës të informacionet me karakter publik të jenë organet shtetërore që funksionojnë me mjetet shtetërore, ndërkaq partitë politike jo”, ka thënë Grubi.

Komisioni për Çështje Evropiane. Grubi dhe Ristovski

Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski nuk e ka komentuar rekomandimin e OSBE-së, edhe pse kjo do ta rrezikonte ndryshimin kyç të Ligjit që u përpilua nga dikasteri nga ku vjen ai, me proces gjithëpërfshirës dhe pas disa debatesh publike.

Misioni i OSBE-së në Shkup ka pranuar që kanë rekomanduar përjashtimin e partive politike nga Ligji, duke u arsyetuar se ai nuk është kundër transparencës.

“Ky rekomandim nuk kishte për qëllim të avokonte për më pak transparencë. OSBE-ja mbështet plotësisht të drejtën e qytetarëve për të ditur se si shpenzohen fondet publike, përfshi financimin publik për partitë politike. Megjithatë, praktika  standarde ndërkombëtare është që kjo çështje të trajtohet përmes ligjeve të tjera, siç është Ligji për financimin e partive politike dhe Ligji për parandalimin e korrupsionit, dhe jo përmes ligjeve për qasje në informata publike, të cilat në përgjithësi synojnë të mbështesin të drejtën e qytetarëve për qasje në informata të institucioneve publike”, thane nga OSBE-ja.

OJQ-të: Përfshirja e partive në Ligj do ta rrit transparencën 

Ligji për financim të partive politike do t’u mundësojë partive politike që të marrin mjete nga buxheti shtetëror. Kjo është njëra ndër arsyet kryesore që Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur Maqedoni insistojnë që partitë politike të përfshihen edhe në Ligjin për qasje deri te informacionet me karakter publik.

Pjesëtarja e "Metamorfozis", Elena Stojanovska / foto: Vanço Xhambaski
Pjesëtarja e “Metamorfozis”, Elena Stojanovska / foto: Vanço Xhambaski

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” ka vlerësuar se përfshirja e financimit të partive në Ligj, do ta rrit transparencën për mënyrën se si harxhohen mjetet publike.

“Përcaktimi i partive politike si përgjegjës për informatës me karakter publik në pjesën e të hyrave dhe shpenzimeve, është njëra nga risitë kyçe të Ligjit për qasje deri te informacionet me karakter publik. Konsiderojmë se statusi i informatave publike që u jepet informatave që lidhjet me financimin e partive politike me mjete buxhetore, është e rëndësisë kyçe për rritjen e transparencës së mënyrës së harxhimit të parave publike nga partitë politike”, tha Elena Stojanovska nga “Metamorfozis”.

Dançe Danillova nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, thekson se emëruesit e informatave përmes përgjigjeve të përgjithshme apo të paqarta, me shkathtësi anashkalojnë dhënien e informatës së kërkuar
Në të majtë Dançe Danillova nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur

Pjesëtarja e Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Dançe Danaillova Bajdeva, vlerësoi se qytetarët duhet ta dinë se si harxhohen mjetet shtetërore.

“Me dispozitat ligjore të reja partitë politike do të harxhojnë rreth 5 milionë euro në vit nga buxheti shtetëror, dhe qytetarët kanë të drejtë të dinë se si janë harxhuar ato mjete”, tha Bajdeva.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti Grubi duke thënë:

“Shumë demokratike nga ana juaj”, tha Grubi.

Përndryshe, debati në Komision erdhi pasi që i njëjti dje kaloi në leximin e parë në seancë plenare. Ligji paraprakisht kaloi në Qeverinë RMV-së. Ligji për qasje të lirë në informata publike do të hyjë në fuqi pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button