Të dhëna rreth sulmit terrorist në dy xhami në Zelandën e Re, 49 të vdekur (VIDEO)

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë se 49 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e dy sulmeve terroriste në dy xhami në qytetin, Kristçërç.

Ajo e ka përshkruar këtë ngjarje si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të rënda” për këtë vend, transmeton REL.

Policia ka konfirmuar se një burrë është akuzuar për vrasje dhe do të paraqitet para gjykatës mëngjesin e së shtunës. Autoritetet kanë ndaluar edhe dy burra të tjerë dhe një grua, afër zonës ku janë konfiskuar armët e zjarrit, ka thënë komisionari policor, Mike Bush.

Për njërin prej tyre thuhet se mund të mos jetë përfshirë në incident, kurse për dy të tjerët hetimet janë ende duke vazhduar.

Një pjesë e sulmit është transmetuar direkt në rrjete sociale, në profilin e njërit nga sulmuesit. Në video, të cilën Radio Evropa e Lirë nuk do ta transmetojë, dëgjohen tinguj të një kënge serbe, e cila madhëron ‘kasapin e Bosnjës’, të dënuarin për krime lufte Radovan Karaxhiq.

Policia në Zelandë të Re i ka bërë thirrje publikut që të mos shpërndarjë këto pamje “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Rrjeti social, Facebook ka thënë se ka bllokuar llogaritë e sulmuesit të dyshuar në Facebook dhe Instagram dhe se është duke punuar që të largojë të gjitha pamjet që kanë rrjedhur nga ai postim.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka thënë se një nga të arrestuarit është qytetar australian.

Ai e ka përshkruar të dyshuarin e sulmit si “terrorist të dhunshëm të ekstremit të djathtë”.

Sulmuesi Brenton Tarrant ka lënë një manifest në të cilin mes tjerash thekson se zgjodhi Zelandën e Re për shkak të vendndodhjes së saj, për të treguar se edhe pjesët më të largëta të botës nuk janë të lira nga “imigracioni masiv”.

“Ky është sulm terrorist dhe unë jam racist” shkruhet mes tjerash nga vrasësi.

Xhamia, Al Noor.
Xhamia, Al Noor.

Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se kanë vrapuar kur kanë parë njerëz që janë përgjakur jashtë xhamisë, Al Noor.

Një burrë ka thënë të ketë qenë në xhaminë Al Noor dhe ka përshkruar sulmuesin si njeri të bardhë, që ka pasur të veshur një jelek antiplumb.

Ai ka thënë se ky person ka nisur sulmin në xhami, derisa besimtarët kanë qenë duke u lutur.

“Ai ka pasur armë të madhe, ai ka ardhur, ka nisur sulmin ndaj secilit në xhami, gjithandej”, ka thënë Ahmad Al-Mahmoud. Ai ka thënë se bashkë me shumë persona të tjerë kanë ikur përmes një xhami të thyer.

Një xhami e dytë në lagjen Lajnvud, është evakuuar derisa komisionari Bush ka thënë se dhjetëra viktima janë raportuar në të dyja vendet.

Autoritetet kanë këshilluar për mbylljen e të gjitha xhamive deri në njoftimin e radhës, duke thënë se ngjarja e së premtes ka qenë e pashembullt.

Kryeministri australian, Scott Morrison ka kërkuar që në shenjë respekti për të gjithë të vrarët, flamujt të vendosen në gjysmë-shtizë.

Këto ishin fjalët e sulmuesit para se t’i fillonte vrasjet në Zelandën e Re

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button