Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i dha dritë jeshile Ministrisë për Sistem politik dhe Marrëdhënine mes komuniteteve

Me 61 vota “për” deputetët miratuan nevojën e sjelljes së ligjit për krijimin e Ministrisë për Sistem politik dhe Marrëdhënine mes komuniteteve. Ligji u përcoll në procedurë të mëtejshme parlamentare, për në lexim të dytë, transmeton Tv21.

Propozuesi i ligjit, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Aalimi, tha se me këto ndryshime parashihet transformimi i Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit në Ministri të re. Ndërsa deputeti Artan Grubi sqaroi detyrimet që do të ketë kjo ministri.

“Ministria për sistem politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive do të kryej punët që kanë të bëjnë me: Funksionimin e sistemit politik, Sigurim dhe koordinim të mbështetjes së Qeverisë në realizimin e prioritetit strategjik që kanë të bëjnë me obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, sigurimi dhe realizimi i mjeteve financiare të nevojshme për zhvillim të suksesshëm të procesit të realizimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit në suaza të buxhetit të vendit dhe nga donatorët, Sigurimin e koordinimit dhe harmonizimit të punës së organeve të Drejtorisë shtetërore për zbatimin e marrëveshjes së njëjtë, avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, nuk thotë maqedonasit apo shqiptarët, por të gjithëve, tha Artan Grubi deputet.

Por me këtë nuk pajtohen deputetët e bashkësive etnike më të vogla. Deputeti i Lëvizjes turke Enis Ibrahim, pyeti se si do të funksionojë kjo ministri dhe se kujt do t’i dedikohet.

“Si do të funksionojë në ministrinë e re, këtu kemi dilema, si do të funksionojnë. Kultura dhe arsimi nëse janë jashtë Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, si do të funksionojnë. Si do ta garantojnë autonominë e tyre! Pse vetëm këto dy drejtori janë pjesë e organeve të ministrinë e re? Pse për shembull nuk është Komisioni për marrëdhënie mes bashkësive fetare, grupeve religjioze apo organe tjera shtetërore që i mbrojnë të drejtat e ndonjë bashkësie të caktuar” u shpreh Enis Ibrahimi, deputet

Deputeti boshnjak Zeqir Ramçilloviq e përkrah këtë ministri pasi do të kenë të drejtë më shumë ata bashkësi etnike që nuk janë mbi 20% dhe sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, nuk është plotësuar.

“Në periudhën e fundit dëgjuam pohime se Marrëveshja e Ohrit është zbatuar plotësisht dhe ngjashëm, por pikërisht unë si boshnjak nuk pajtohem me atë konstatim, për shkak se, populli boshnjak në Maqedoni por edhe bashkësitë tjera etnike që janë nën 20%, në periudhën që ka kaluar, jo që nuk është bërë asgjë, por nuk është bërë mjaftueshëm për avancimin e të drejtave të tyre”, tha Zeqir Ramçiloviq, deputet.

Kjo ministri do të formohet me ndryshimin e dy ligjeve, Ligjit për Qeveri dhe Ligjit për organizimin dhe punën e organeve shtetërore, që janë pika 15 dhe 14 e rendit të ditës. Ky propozim është parashtruar nga deputetët e shumicës parlamentare.

Ndërkaq zv/kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, Hazbi Lika, thotë se nuk është informuar dhe konsultuar për shuarjen e resorit që ai udhëheq dhe themelimin e një ministrie të re të quajtur Ministria për Sistem politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve.

LEXO: Lika: Nuk më kanë informuar se do ta shuajnë Sekretariatin për Zbatimin e MO-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button