40% e çmimit të benzinës shkon në Buxhetin shtetëror

Mbi 40 për qind e çmimit të benzinës llogaritet si tatim shtetëror. Në periudhën e ardhshme nga secili litër i benzinës eurosuper BS 95, që nga e hëna kushton 88,50 denarë, në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë do të kalojnë madje 36,5 denarë, ose 41,2% e parave. Shteti i mbledh të hollat në bazë të akcizës, TVSH-së dhe të pagesave për mjedisin jetësor, si dhe për rezervat e detyrueshme të shtetit.

Nga çmimi i naftës, tatimet shtetërore përbëjnë 32 për qind, gjegjësisht 74,50 denarë për litër, ndërsa në Buxhet shkojnë gjithsej 23,841 denarë.

Nga Ministria e financave dhe Drejtoria e doganave nuk zbulojnë se për sa milionë euro është rritur Buxheti gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, e as që zbulojnë se sa  të holla janë mbledhur nga shitja e benzinës pa plumb dhe naftës gjatë vitit 2011.

Sipas Ministrisë së ekonomisë, vitin e kaluar në Maqedoni janë shpenzuar 118,036 ton benzinë pa plumb, nga të cilët rreth 10 për qind janë eurosuper BS 98, ndërsa të tjerat eurosuper BS 95. Janë shpenzuar edhe 282,640 ton naftë.

Nga shitja e tyre, rreth 170,6 milionë euro në vit kalojnë në Buxhetin e RM-së vetëm në bazë të TVSH-së dhe akcizave. Kjo shumë rritet pasi që, sipas formulës për llogaritjen e çmimit, TVSH paguhet edhe për akcizën. Kjo shumë do të rritet për disa qindra milionë euro, në qoftë se llogaritet se sa tatime mblidhen nga shitja e mazutit dhe e vajit ekstra të lehtë.

Si një mesatare e çmimit më të lartë dhe më të ulët të karburanteve, është fituar shuma mesatare prej 170,6 milionë euro. Çmimin më të lartë të benzinës qytetarët e paguanin në prill të këtij viti, kur eurosuper BS 98 arriti çmimin prej 90,50 denarë për litër, eurosuper BS 95 – 89 denarë dhe nafta – 73,50 denarë. Në qoftë se këto çmime do të kishin vlejtur gjatë tërë vitit, vetëm gjatë vitit të kaluar ishin mbledhur gjithsej 175,8 milionë euro akcizë dhe TVSH. Por, në qoftë se gjatë tërë vitit kishin vlejtur çmimet më të ulta të karburanteve, atëherë shteti kishte mbledhur rreth 165,4 milionë euro vetëm për një vit. 

Sa për ilustrim, si duket Maqedonia është ndër vendet e pakta në Evropë ku vazhdimisht ka rritje të çmimeve dhe shtrenjtime të shumta, pasi që Franca po e ul çmimin e karburanteve, ndërsa Serbia ka kthyer tarifën e lirë të energjisë elektrike dhe i ka ndërprerë tatimet për radiodifuzion./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button